Aksioni i agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, që solli në kapjen e sasisë së madhe të kokainës në Portin e Durrësit, është mirëpritur nga krerët më të lartë të Bashkimit Europian. Nga kryeqyteti bullgar Sofje, ku mori pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve të rajonit me Presidentin e KE-së Juncker dhe komisionerët Mogherini dhe Hahn, kryeministri Edi Rama nënvizoi angazhimin qeverise në luftën kundër drogës.
 
 “Operacioni më i fundit i agjencive tona ligjzbatuese, Hetimi Doganor dhe Policia e Shtetit, me mbështetjen e Prokurorisë, pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua maksimalisht, duke pasur parasysh që ngarkesa e kapur përbën jo vetëm një sasi që është më e madhja e kapur ndonjëherë prej nesh, por një sasi që përpara sesa të vijë në vendin tonë ka kaluar në portet e Bashkimit Europian dhe faktikisht i ka shpëtuar kontrolleve”.
 
Shefi i ekzekutivit i njohur meritat agjencive ligjzbatuese shqiptare, në kapjen e drogës. Sipas tij, ky ishte mirëfilli operacion i forcave shqiptare, i kryer pa asnjë sinjalizim nga partnerët ndërkombëtarë.
 
“Është krejt e natyrshme të punojmë me partnerët, është krejt e natyrshme operacionit të jenë fryt i bashkëpunimit me partnerët, por në këtë rast është treguar gatishmëri dhe integritet i lartë i vetë forcave tona të angazhuara në luftën trafiqeve. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është gatishmëria e lartë e forcave tona në terren në këtë përballje të fortë kundër krimit të organizuar dhe trafikantëve të çdolloji”.
 
Në takimin e Sofjes, qeveria shqiptare mori mbështetjen e krerëve të lartë të KE-së për procesin e integrimit europian të vendit. Rama tha se pritet një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian dhe më pas nga vendet anëtare për çeljen e negociatave.
 
“Është e qartë që duhet të punojmë intesivisht në këtë periudhë përsa i përket vendeve anëtare, pasi kështu funksionon ky proces. Por është po ashtu e qartë se ka një mirëkuptim lidhur me hapat e rëndësishëm përpara që ka bërë Shqipëria”
 
Pak ditë më parë, gjatë vizitës në Tiranë Presidenti i Komisionit Europian Jean Calud Juncker theksoi përkrahjen për procesin e integrimit, duke rinënvizuar nevojën e vijimit të reformave në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re