Është mbyllur biseda kokë më kokë mes presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit Edi Rama.

 

Dialogu Kosovë -Serbi dhe domosdoshmëria që liderët e dy vendeve, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, të ulen në tryezë për të përmbyllur pikat e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve ishte kryeçështja për të cilën Edi Rama udhëtoi drejt Brukselit.

 

Drejtuesit të lartë të Bashkimit Evropian i komunikoi drejtpërdrejt si zgjidhje, atë që më herët ia dërgoi me letër atij, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

I përcolla bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.

 

Në takim u fol edhe për situatën ende të tensionuar në veri të Kosovës. Sipas Edi Ramës, nëse Vuçiç dhe Kurti vazhdojnë të zvarrisin zbatimin e planit franko-gjerman, veriu i Kosovës rrezikon të shndërrohet në një Donbas të dytë.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.

 

Takimi i dy liderëve u pri nga lirimi i tre policëve të rrëmbyer kosovarë. Edi Rama shkroi në twitter se le të jetë ky hapi i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, kryeministri do të ketë edhe takime të tjera me përfaqësues të Bashkimit Evropian, ku çështja mbetet e njëjtë, nisja e zbatimit të planit franko-gjerman nga Kurti dhe Vuçiç.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re