4 prill Kryeministri Edi Rama inspektoi sot godinën e re të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Berat, një kompleks model në hyrje të qytetit, në shërbim me kushte optimale, shpejtësi e transparencë për 55 mijë drejtues automjetesh.

I shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, Kryeministri pa nga afër ambientet e reja të kësaj godine, e ndërtuar me standardet më të larta.

Rama theksoi se mbidyfishimi i numrit të mjeteve vitet e fundit tregon edhe për rritjen e ekonomisë.

“Kemi mjete me standarde të reja, duke nxjerrë jashtë shumë nga mjetet e vjetra dhe dyfishimi flet vetë edhe me atë që ne përsërisim që ka të bëjë me ekonominë. Se thonë ku është rritja ekonomike, por faktet e tregojnë se ku është”, tha Rama.

Ministrja Balluku theksoi se më parë drejtoria ka qenë e vendosur në një ambient me qira dhe ne morëm vendim që t’i jepnim mundësi Beratit për të pasur një ndërtesë të re me shërbime cilësore.

“Këtu ofrohen rreth 120 mijë shërbime gjatë gjithë vitit. Ndërtesa ka një hapësirë prej rreth 1 mijë metra katrorë, ndërsa kapanoni është 150 metra katrorë. Radhët e gjata dhe numri i ankesave ka rënë ndjeshëm. Tani edhe kontrolli fizik bëhet nga DRSHTRR”, tha Balluku.

Ndërsa Gonxhja u shpreh se, DPSHTRR ofron mbi 70 mijë shërbime online dhe 120 mijë shërbime fizike.

“Në total janë rreth 200 mijë shërbime në vit. Ndërtimi këtu është kryer nga e para. Është punuar me një kosto shumë normale dhe racionale. Ndërtimi është me vetëfinancim, pa i marrë buxhetit të shtetit asnjë gjë, sepse ka edhe nga ata që na akuzojnë për ndërtimet e reja”, tha Gonxhja.

“Këtyre që akuzojnë për ndërtimet e reja dhe fasadat u duhet thënë rrini pa larë, pa krehur. Pse kriheni, pse visheni? Rrini si ju ka bërë nëna dhe nuk ka problem”, tha Rama.

/m.m//a.a/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re