Nga Fushë Kruja ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës “Korb Muça” dhe kopshtit “Europa”, të financuar nga Komisioni Europian, kryeministri Edi Rama apeloi për të mos humbur durimin me Bashkimin Europian sa i takon procesit të integrimit. Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e KE-së, Ursula Von der Leyen, kreu i qeverisë shqiptare tha se këtu është dëshmia e gjallë e solidaritetit dhe bashkëpunimit me BE-në.

“Jemi në një vend që është dëshmi e gjallë e solidaritetit dhe frymës së bashkëpunimit e vërtetësisë së kësaj marrëdhënie me BE-në. Dhe kjo është arsye e dukshme, e prekshme, konkrete për të mos humbur durimin me Bashkimin Europian që është i lodhshëm në një aspekt që e dimë shumë mirë, por është një forcë e madhe pozitive në shërbim të njerëzve e shoqërive që bëjnë pjesë në këtë kontinent të bekuar”, duke sjellë në vëmendje angazhimin e BE-së për konferencën e donatorëve për rindërtimin.

Dhe në këtë kontekst, ai e cilësoi absurde situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut. Ai falënderoi Komisionin Europian për mbështetjen në këtë proces, përkundër Këshillit Europian, ku sipas tij aty janë interesat e shteteve dhe mjafton vetëm njëri për ta bllokuar.

“Kemi folur edhe për procesin dhe situatën absurde që ndodhet Shqipëria për shkak të bllokimit që Bullgaria i ka bërë Maqedonisë së Veriut dhe një pengmarrje që ne kemi bërë të gjitha detyrat dhe presim të ulemi në tryezë me BE-në, për të filluar negociatat me konferencën e parë ndërqeveritare, por edhe në këtë aspekt nuk kam ç’të them përveçse faleminderit Von Der Leyen që është mbështetëse e procesit dhe një ndër ata që janë të bindur për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe është në përpjekjen për ta nxitur procesin. KE ka disa vite që jep rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave deri sa u arrit dhe nga Këshilli, por komisioni është i rreptë dhe i parashikueshëm se bazohet në fakte e raportime që lidhen me përmbushjen objektive të detyrave. Kur shkojnë në KiE, aty fillojnë interesat e dinamika të një shteti dhe një tjetri dhe duhet konsensus, se mjafton njëri për ta bllokuar, siç është Bullgaria që ka marrë peng procesin. Dhe falënderoj presidenten për përpjekjen që po bën për ta zhbllokuar këtë situatë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re