Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Hungarisë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun hungarez Viktor Orban.

Rama u shpreh se vizita e tij në Shqipëri është vazhdimi i një rruge të re bashkëpunimi mes dy vendeve. Ai shtoi se Hungaria ka qenë një nga avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Ne kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale, miqësore dhe ekonomike mes dy vendeve dhe kjo vizitë përveçse vizita e një miku të çmuar është edhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë në Budapest ku u vendosën disa piketa mbi të cilat ne po vazhdojnë të bashkëpunojmë.

Hungaria është një nga avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e Bashkimit Europian. Hungaria dhe kryeministri Orban e kanë mbrojtur vijimësisht procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Mbështetja nuk ka qenë vetëm me fjalë por e konkretizuar me ekspertizë të vënë në dispozicion për qeverinë tonë në të gjithë sektorët ku kemi kërkuar mbështetje. Ne ndajmë të njëjtën bindje me kryeministrin dhe qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik për integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re