Kryeministri Edi Rama vendos në një linjë viktimën dhe abuzuesin , kur është fjala për konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës.

Teksa flet për nismën ku është investuar me ”mish dhe shpirt”, Ballkanin e Hapur, Rama tha se Kosova duhet ti bashkohet kësaj nisme në të mirë të vendeve të tyre, dhe e krahasoi situatën me Serbinë, si atë mes Francës dhe Gjermanisë së pasluftës.

Sipas Ramës shqiptarët dhe serbët ua kanë borxh gjeneratave të ardhshme që të zgjidhin konfliktet mes tyre, dhe e gjitha duhet të nisë nga marrëveshjet ekonomike.

Rama:

Ballkani i Hapur është konkurent me integrimin europian (?!), ndërkohë që në jetën reale që zhvillohet jashtë vëmendjes së kamerave, ka një ndërveprim të vazhdueshëm, mes njerëzve realë që punojnë që eksportojnë, që tregtojnë. Këta njerëz vuajnë peshën marramendëse të kufijve, të 2, 3, 4 palë burokracive. A mund të vihet në diskutim e drejta e tyre për të punuar normalisht, se dikush në një kolltuk në një studio televizive, të bëjë teori për Ballkanin e Hapur.

A mund të mohohet e drejta e dhjetra njerëzve që ngrihen dhe puthin në gjumë fëmijët e tyre, e dalin për të punuar, a mundet që këta njerëz nga Konispoli, që duan Ballkanin e Hapur, se për të çuar bostanët dhe manderinat në MV, Serbi, Bosnje, ju duhet të bëjnë rrugën e Magelanit, më shpejt shkon në Australi me avion se në Bosnje me makinë, shto dhe orët e kontrolleve. Ne nuk do rrimë të merremi me seksin e ëngjëjve, që në Berlin ta kuptojnë çfarë është Ballkani i Hapur, kur ata e dinë se çfarë është Ballkani i Hapur.

Të treja vendet janë ta hapura që të vijnë dhe të diskutojnë me ne për njerëzit e tyre. Nëse të 6 vendet marrin pjesë, edhe për Kosovën dhe Bosnjen do jetë shumë më e mirë dhe për çështjet e tjera për të diskutuar. Shqiptarët dhe serbët ia kanë borxh gjeneratave të tjera të bëjnë atë që francezët dhe gjermanët bënë mes tyre, nuk e filluan nga fundi, e filluan nga bashkëpunimi ekonomik. E filluan nga aty ku u dhimte popullit të pas luftës,  e filluan nga buka, nga marrëveshja e çelikut.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re