Kryeministri Edi Rama duke folur në “Konferencën Antikorrupsion” tha se sot Shqipëria ka nisur të marrë frymë, falë reformave që janë bërë në vend.

Ai tha se askujt më parë nuk ia priste mendja që për një kohë të shkurtër pas reformimit të sistemit të drejtësisë, do kishte pas hekurave, ministra, deputetë apo kryebashkiakë.

“E pamë të udhës të shoqëronin nxjerrjen e raportit antikorrupsion me këtë konferencë sepse besojmë se është shumë e rëndësishme të ndajë me publikun dhe vështirësitë si dhe të vendosim në një perspektive këtë sfidë të vazhdueshme, e cila asnjëherë nuk mbaron, sepse në asnjë shtet të botës që nga shtete më të zhvilluara, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht. Por ndërkohë për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt. Nuk ka qenë përpara 30 vjetësh, por ka qenë deri para pak vitesh kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt fizik, dhe kur dhe për shërbimet më bazike dhe të përmuajshme, siç ishte pagesa e dritave qytetarët duhet të qëndronin në radhë shumë të gjata, që t’iu jepej mundësia të paguanin kontributet e tyre. 300 mijë kontakte fizik kishte në muaj mes qytetarëve dhe shtetit, ku kishte arbitraritet të vazhdueshëm, mungesë të plotë cilësie në shërbim, mungesë transparence dhe shumë para nën dorë. Nga ana tjetër për të kaluar në zemrën e sistemit ai ishte i kapur nga kanceri i një drejtësie të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktikisht të transformuar në një Pazar ku e drejta shitej ose blihej. Pavarësisht se brenda sistemit kishte si kudo njerëz të zotë e të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur të promovoheshin, por dh për njerëzit e thjeshtë të garantoheshin nga sistemin i drejtësisë. Ne u fokusuam në të dyja drejtimet, reformimi i drejtësisë dhe ai i shërbimeve. Për reformimin e sistemit të drejtësisë do të ketë një panel të veçantë. Do doja të thosha vetëm diçka që biem dakord të gjithë pavarësisht bindjeve apo rezervave që mund të kemi, madje pavarësisht simpative që mund të kemi në aspektin politik. Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë, kush e mendonte se do të vinte dita vetëm pak vite më pas nga fillimi i reformës në drejtësi ku askush më nuk do ndihej i paprekshëm, që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur, deputetë do të merreshin në hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika, dhe e fokusuar tek misioni i saj për drejtësi”, tha Rama.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re