Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar takime me disa qytetarë që e kanë kaluar koronavirusin duke kujtuar sërish vonesat për marrjen e tamponit, si dhe blerjet e ilaceve nga vetë pacientët. Sipas Bashës, Rama lan duart me statistika të rreme ndërsa thekson planin e tij që përfshin rimbursim shpenzimesh për personat e infektuar.

Statusi i Bashës:

Gjatë takimit me në grup qytetarësh dëgjova rrëfimet e përballjes së tyre me COVID-19.

Si Muharremi, Amarda, Aldi, Fahrija apo Xhemilja janë dhe shumë shqiptarë të tjerë që u mohohet ose u vonohet testimi, u jepen tepër vonë përgjigjet, duke i dhënë kohë sëmundjes të përparojë me pasoja fatale për shëndetin. Të gjithë qytetarët e infektuar, pa dallim i blejnë vetë barnat, që i kalojnë disa herë të ardhurat mujore të familjeve të tyre.

Spitalet janë plot, mjekët dhe infermierët të paktë, të stërlodhur dhe të pambrojtur, pajisjet dhe medikametet të pamjaftueshëm.

Edi Rama lan duart me statistika të rreme. Për shëndetësinë, qeveria e tij s’ka para. Për shqiptarët, ajo s’ka asnjë ndihmë, asnjë mbështetje. Për oligarkët dhe mafian e plehrave, paratë e buxhetit nuk mbarojnë.

800 milionë lekë i dha vetëm këtë javë nga buxheti inceneratorit të Elbasanit. 120 milionë euro ka ndarë Edi Rama për PPP-të në buxhetin e vitit tjetër. Asnjë lek për pandeminë.

Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Më shumë teste, më shumë ndihmë, më shumë zgjidhje. Plani ynë ofron zgjidhje dhe përfshin rimbursimin e plotë të shpenzimeve për personat e prekur me COVID që kurohen në shtëpi.

Bashkë do ta mposhtim këtë të keqe, shërojmë Shqipërinë e do ta kthejmë shpresën e shqiptarëve tek e ardhmja.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re