Investimi i fundit prej 4.2 milion euro për flotën e re të aparaturave mjekësore të teknologjisë së lartë në rrjetin e spitaleve publike, ka rritur cilësinë e diagnostikimit dhe shërbimit shëndetësor për qytetarët.

 

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë parë nga afër investimin e fundit në pajisje bio-mjekësore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

 

“Me një fond 4.2 milionë euro jemi duke investuar vetëm për imazherinë e spitaleve tona. Ashtu sikurse ne kemi projektuar edhe në strategjinë tonë për të menaxhuar edhe pasojat e Covid19, kemi mundësuar që spitalit “Shefqet Ndroqi” t’i shtohet një skaner i ri, pra bëhen me dy skanera në këtë spital. Do të shtojmë një skaner në spitalin e Traumës, duke investuar në një teknologji kompet të re dual-energji për skanerat. Gjithashtu në spitalin e Korçës do të kemi rinovim dhe në spitalin Pediatrik në Tiranë. Ndërkohë që QSUT investojmë dhe një angiograf të ri. Dhe janë 18 grafi që do të shpërndahen në gjithë spitalet falë investimit në flotën e re të aparaturave”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se me investimin e ri në pajisjet imazherike do të ulet koha e pritjes për kryerjen e një skaneri.

“E para ne kemi mundësi tashmë që të kemi një llojshmëri të madhe të evidentimit për diagnoza të ndryshme. Ndjekja e pacientit bëhet më mirë. Që nga fakti që ky si skaner në 60 minuta mundet që të realizojë ekzaminime për 20 pacientë. Pra në tre minuta mund të bëhet një skaner. Nga ana tjetër duke pasur këtë teknologji të re, ne mundemi që të ulim listat e pritjes që tashmë për skanerat bëhen 24-48 orë në gjithë Shqipërinë”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Kryeministri Edi Rama foli për rritjen e pagave të mjekëve që ka hyrë në fuqi nga 1 korriku, për t’u ndjerë efekti në pagë më 1 gusht e në vijim.

Qeveria shqiptare po investon për rinovimin e flotës së aparaturave në vlerën 4.2 milion euro.

 

Fuqizimi i flotës së pajisjeve mjekësore do të sjellë në strukturat spitalore katër skanera të rinj të teknologjisë së fundit, më konkretisht, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe në Spitalin Universitar të Traumës, duke dyfishuar kapacitetet, si dhe në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Spitalin Rajonal të Korçës. Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të pajiset me një angiograf të ri. Edhe spitalet e tjera rajonale dhe bashkiake si dhe disa poliklinika do të pajisen me 18 grafi të reja dhe 4 ECHO, pjesë e investimit në flotën e aparaturave moderne të teknologjisë së lartë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re