Gjatë fjalës së tij për 32 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama theksoi se duhet të projektohet e ardhmja duke nisur nga vetja pasi përndryshe nuk t’i shpëtojnë dot shuplakës së qytetarëve nëse nuk punojnë. Për kryeministrin Rama prioritet kryesor duhet të jetë njerzillëku.
“Jemi përditë në syrin e ciklonit përballë sfidave për të fituar e probleme për të zgjidhur. Pa e futur thellë gozhdë në kokë sot që na e kanë dhënë tërë këtë besim të vërtetën se shqiptarët nuk kanë sesi të jenë të kënaqur me ne, ne s’do u shpëtojmë shuplakës së tyre nesër kur të na kërkojnë që të na votojnë përsëri. Duhet të projektojeni me të ardhmen duke e nisur reflektimin dhe punë nga vetja siç kemi bërë pas çdo zgjedhje, kur të tjerët kanë humbur dhe kanë bërtitur fitore.“, tha Rama.
Ai u ndal edhe tek çështja e pronësisë teksa deklaroi se mandati i 14 Majit duhet të përfundojë rrugën e gjatë të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën.
“Mandati i 14 Majit duhet të jetë një mandat që duhet të përfundojë rrugën e gjatë të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën. Sa e sa njerëz sot na kanë votuar dhe nuk e kanë akoma certifikatën e tokës që punojnë, ndërkohë që ju kemi dhënë bashkive një ligj të ri e të posaçëm për të gjitha ato raste për ta marrë certifikatën pa asnjë pritje. Sa certifikata kemi dhënë që kur ka dalë ligji? Me gishtat e dorës. Nga ana tjetër, kalimi i shërbimit të Kadastrës vetëm në platformën e-Albania, duhet të jetë fillimi i fundit të kësaj rruge.
Si mund të jenë shqiptarët të kënaqur me ne kur deputetëve ju del shpirti nga pakënaqësitë për Hipotekën dhe këtu po marr ata që merren me ankesat. Nuk u japim ende një certifikatë pronësie, duhet të presin. Nuk kanë si të jetë të kënaqur me ne shqiptarët, por ata nga ne presin zgjidhje dhe ne duhet të ju japim zgjidhje se s’bën dhe sa më parë sepse shembujt e pakënaqësisë e atyre që na votuan në 14 Maj janë shumë, ndërkohë që ne duhet t’i marrim me radhë, t’i analizojmë dhe t’i adresojmë. Një nga mesazhet më të forta të 14 Majit është se jo nuk i keni bërë mirë të gjitha ata që mendoni se keni bërë mirë, por po, këtë vend, ose ju, ose askush tjetër nuk e bën dot.”, tha Rama.
