Kryeministri Raama ka deklaruar mbështetjen e tij të plotë për Kosovën dhe autoritetet në lidhje me tensionet në veri të vendit gjatë mbrëmjes se të dielës.
Megjithatë i pyetur nga gazetarja e Vizion Plus, Enkeleda Mema, Rama nuk është tërhequr nga mendimi që Kosova duhet t’i bashkohet Ballkanit të Hapur.
Më tej ai ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti dhe autoritetet në kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe dëgjimin e aleatëve.
“Ju jeni në të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme. Unë jam në të drejtën time të them që e kundërta është e drejtë. Ngjarja e ndjeshme është pasqyrë e vështirësisë së thellë në këtë marrëdhënie. Ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës bazuar në marrëveshje ne dakordësuar mes Kosovës e Serbisë në Bruksel lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është një drejtë vetëm, por detyrë e institucioneve të Kosovës. Në këtë pikë i mbështes 100% qeverinë dhe autoritetet e Kosovës që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. Ashtu sikundër i përgëzoj autoritetet në Kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen, por për t’i dhënë kohë kohës që të sqarohet çfarë duhet”, tha Rama.
Ai u shpreh më tej se këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm, apo është i gabuar. Sipas tij këto situata tregojnë pse politika e dialogut dhe afrimit nuk është e gabuar.
“Këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit dhe dialogut është e gabuar. Këto situata tregojnë pikërisht pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në Ballkanin e Hapur. Këto situata tregojnë që ka dy rrugë, rruga e kthimit mbrapa dhe luftës nga e cila nuk fiton më askush dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes. Unë jam me të parën dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër. Me presidentin e Serbisë marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovën. Kjo nuk e pengon Spanjën që ne jemi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është një shprehje mosrespekti për mënyrën se si ne shqiptarët e shohim këtë çështje”,- u përgjigj kryeministri.