Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve elitarë, theksoi se do të ketë mbështetje financiare për të gjithë sportistët që do të kenë nevojë për stërvitje speciale. Sipas tij, ekziston një politikë financiare që i fut sportistët elitarë në nivelin e parë europian sa i takon mbështetjes financiare.
“Sot dëshiroj që këta shembuj që i kemi mes nesh t’i çmojmë sa më shumë dhe jo vetëm dy ditë. Por gjatë gjithë karrierës së tyre. Po në këtë ditë t’i vlerësojmë me yjet e mirënjohje publike, të cilët janë një shprehje e admirimit, respektit dhe mirënjohjes për gjithçka që ju bëni për Shqipërinë dhe shoqërinë.
Jemi shumë të vendosur që ta thellojmë mbështetjen për sportistët elitare me mbështetjen për lëvizjen sportive në shkolla. Duke marrë në konsideratë nevojat e sportistëve elitarë, jo vetëm të kampionëve por edhe të atyre që kanë potencialin për t’u kthyer në kampion.
Për sportistët që marrin tituj kemi një politikë financiare një politikë që i fut sportistët tanë elitarë në nivelin e parë sa i përket mbështetjes financiare. Jemi të parët në rajon, në raport me shumë vende që kanë kampion botërorë në këto disiplina dhe duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë duke shtuar edhe një mbështetje për periudhat stërvitore speciale.
Se aty ka akoma boshllëk, për t’iu dhënë mundësi të stërviten në kushte optimale, bashkë me trajnerët për të gjithë periudhën e nevojshme në ato parametra siç është rasti i Luizës.“, theksoi kreu i qeverisë.