Me ftesë të kryeministrit Edi Rama, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, janë mbledhur në një takim jo-zyrtar në Tiranë.

 

Në tryezën e diskutimeve për Procesin e Berlinit mungoi Kosova. Kryeministri Albin Kurti ndodhet në Greqi në simpoziumin ndërkombëtar, SYMI, që zhvillohet çdo vit, nismë e ish kryeministrit George Papandreou.

 

Zyrtarisht zëdhënësi i qeverisë së Prishtinës, Përparim Kryeziu, bëri me dije se për shkak të agjendës së përcaktuar me herët, kryeministri Albin Kurti nuk do të ishte në takimin mes liderëve ballkanik dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian.

 

Mbetet e pakonfimuar zyrtrarisht nëse për Albin Kurtin ishte i pamundur anullimi i pjesëmarrjes në SYMI apo refuzon të takohet me Edi Ramën.

 

Kjo është hera e dytë që kreu i qeverisë së Kosovës i përgjigjet me jo një takimi me homologun e tij, Rama.

 

Për aq kohë sa takimi jozyrtar ishte në nivel kryeministrash, bisedave mes Ana Bërnabiç të Serbisë, Dritan Abazoviç të Malit të Zi, Dimitar Kovaçevskit të Maqedonisë së Veriut, Borjana Kristo të Bosnje-Hercegovinës dhe përfaqësuesit të BE-së nuk iu bashkua asnjë përfaqësues nga Kosova.

 

Takimi informal në vilën qeveritare 30 i prin samitit të radhës të Procesit të Berlinit. Për herë të parë ai do të zhvillohet në Tiranë në mesin e tetorit. Ai nuk është zhvilluar asnjëherë në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbajtja e tij në vendin tonë, tregon angazhimin e Bashkimit Evropian dhe veçmas të Gjermanisë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në klubin evropian.

Në samitin e fundit, atë të një viti më parë, në Berlin u nënshkuan tre marrëveshje mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për lëvizjen e lirë të qytetarëve me karta identiteti dhe njohjen e diplomave e kualifikimeve për mjekët, dentistët dhe arkitektët.

 

Rigjallërimi i Procesit të Berlinit nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz duket se çoi edhe në mbylljen e “Ballkanit të Hapur”, një nismë që shkaktoi debate të forta në vendin tonë dhe përplasje me Kosovën, e cila e refuzoi atë që në fillim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re