Analisti Fatos Lubonja u shpreh se rezultati i zgjedhjeve të 14 majit ka ardhur si pasojë e një blerjeje masive të votës. Në emisionin “Open” në News24, ai tha se nuk është normale që në një shtet demokratik një parti që qeveris për një kohë kaq të gjatë, në vend që të ezaurohet, rritet në përqindje në raport me kundërshtarin.

Lubonja shtoi se deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës në lidhje me mos-financimin e bashkive të djathta e bën atë të jetë edhe më keq se një drejtues i një vendi autokrat, duke e krahasuar me presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun e tij turk Erdogan.

“Intuitivisht i kam mëshuar tezës sime që ky është një regjim që nuk rrëzohet me votë, pikërisht sepse është regjim.

Nuk ka një shtet në Shqipëri, ku dikush bën arbitrin e nuk ndërhyn në luftën e partive. Këtu jemi në një shtet të kapur nga një parti nëpërmjet grushti shteti gradual të bërë nga Rama.

Vetë rezultati i këtyre zgjedhjeve, nuk është rezultat demokracish. Ashtu siç nuk është rezultat demokracish që një forcë që ka qeverisur për kaq kohë, rritet në përqindje në raport me kundërshtarët.

Sa i përket Shkodrës, aleati kryesorë që i dha fitoren PS është Tom Doshi, mbi 20 përqind të votave që ka marrë Beci, mbase edhe më shumë.. Këtu ka shumë probleme. Doshi është një parti Social Demokrate që nuk e kemi parë kurrë në fushatë të thotë një fjalë e aq më tepër të mbrojë interesat e punëtorëve.

E konsiderojnë oligark madje edhe non grata. Jemi në zgjedhje që rezultati u justifikua me një fushatë që u fokusua tek non grata e Berishës.

Si mund të mos dyshoj si jenë këto vota, të marra me meritë, kur nuk dimë meritën e kësaj partie. Ka pasur blerje masive të votës.

Nëse bëhen të gjitha këto, një shtet që punon si parti shtet, kur policia gjurmon kundërshtarët ndërkohë këtyre u jep krahë sepse “jeni tanët”…

Një kryeministër në asnjë vend të botës, edhe në vendet autoritare, as Erdogani dhe Putini nuk e bëjnë këtë, që të thonë s’do merrni asnjë lek po votuat kundërshtarët. Nuk e besoj që shqiptarët janë aq budallenj sa kur dëgjojnë të gjithë këto, të japin votën me kaq entuziazëm”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re