2 prill Kryeministri Edi Rama ishte sot në drekë me disa mësues të Beratit dhe Poliçanit, me të cilët ka biseduar ecurinë e reformave duke nënvizuar se është absolutisht e domosdoshme që PS të marrë mandatin e tretë për të thelluar reformat.

Rama theksoi se, “pavarësia e sistemit arsimor, është një nga pikat e krenarisë sonë në këto vite, por është edhe një arsye e fortë që është absolutisht e domosdoshme që ne të kemi mandatin e tretë për të konsoliduar pozicionet e fituara në sektorë të ndryshëm falë reformave nga vetë njerëzit”.

“Nga ana tjetër, duhet edhe për të thelluar reformat në mënyrë që i gjithë sistemi ynë në çdo sektor të funksionojë dhe të jetë në një pozicion të pakthyeshëm”, tha Rama.

“Është akoma në një situatë e gjitha ku mund të kthehet mbrapsht shumë kollaj. Ndërkohë që në mandatin e tretë gjërat do të bëhen të pakthyeshme përfundimisht dhe s’do të ketë më kush të guxojë që t’i prekë dhe t’i kthejë mbrapa sepse do të jenë kthyer në traditë”, u shpreh Rama.

Kryeminsitri tregoi edhe një mesazh që kishte marrë nga një simpatizant i PD të cilin qeveria e ka mbështetur.

“Isha me Nasipin pak më përpara, me Ervinin dhe faktikisht mora një mesazh nga një subjekt që e kemi mbështetur edhe që shkruante do të prisja me shumë mall po në këtë periudhë jam i angazhuar me fushatën e PD-së. Ok i thashë suksese në fushtë takohemi pas 25 prillit se pavarësisht se t’i do humbësh si mbështetës i PD-së, prapë së prapë si njeri që meriton mbështetje do jesh përsëri në vëmendjen tonë. Këta jemi ne. Nuk bëhemi dot ndryshe dhe s’duam të jemi ndryshe”, tha Rama.

Drejtuesi politik i PS në Berat, Blendi Klosi tha se, “gjatë gjithë fushatës po e ndjejmë kudo një pozitivetet shumë të madh që vjen nga të gjithë qytetarët sa i përket reformës në arsim, në sensin e liberalizimit shumë të fortë të shkollës për të gjithë”.

Klosi u shpreh se, është rritur në shkallë shumë të fortë pavarësia e sistemit arsimor.

“Ndjehet kudo që mësuesit tashmë janë krejtësisht të pavarur nga politika. Ne e kemi treguar, ne që jemi deputetë prej disa kohësh në këtë qark dhe nuk kemi ndërhyrë dhe nuk ndërhyjmë dot në emërimin e asnjë mësuesi, asnjë drejtori. Tashmë mësuesit e kanë kuptuar fare mirë që është vetëm portali “Mësues për Shqipërinë”, i cili i përzgjedh ata”, tha Klosi. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re