Në një kohë kur qeveria duket të ketë shkuar me pushime, dhe të lërë në mëshirë të fatit përballimin e situatës së shkaktuar nga Covid 19 në vendin tonë, duket se ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, ka gjetur fajtorët e përhapjes së virusit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqaj shkruan se lufta me Covid fitohet në territor dhe këtë javë duhet të ketë kontrolle të rrepta në jug të vendit, në lokalet pranë plazheve që janë kthyer në vatra të rrezikshme infeksionesh sipas tij.
Postimi i plotë i Beqajt: Lufta me Covid-19 është luftë në territor. Beteja kryesore këtë javë është në bregdetin e Jonit. Beach bar më beach bar dhe club më club. 24 orë në çdo ditë. Duke filluar nga prototipët si Nazar e Folie Marine e të gjithë me rradhë.
Aty po lejohet të ndodhin “plagosje me paramendim”. Aty po sakrifikohet sakrifica 5 mujore e personelit shëndetësor. Aty po nëpërkëmben politikat mbështetëse ndaj grupeve më të dëmtuara nga pandemia.
Babëzisë së pronarëve së atyre bizneseve për të fituar shumë e shpejt në kurriz të shëndetit të shqiptarëve duhet t’i përgjigjemi me forcën e ligjit. Karshillëku i administratorëve të atyre bizneseve për të shkelur ligjin meriton ndëshkimin shembullor. Situatat e paqarta që kalojmë kërkojnë vendosmëri të leadershipit. KOHA ËSHTË TANI!/faxweb