Kryeministri Edi Rama thotë se ndihet i turpëruar për protestat në Shqipëri kundër rritjes së çmimeve si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një dalje për mediat nga zyra e tij në Kryeministri, Rama thotë se Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe Europës ku po protestohet.

Rama shtoi më tej se qeveria shqiptare është e vetmja që nuk ka rritur çmimin e energjisë elektrike pavarësisht se çmimi i saj në tregun ndërkombëtar është rritur.

“Më vjen turp që Shqiprëia është i vetmi vend i NATO-s dhe Europës ku protestohet për pasojat e para të luftës në Ukrainë. Që kapërcimi i çmimit të naftës është shkak i kësaj lufte këtë nuk e kuptojnë vetëm ata që nuk duan të kuptojnë.

Fatura e energjisë elektrike nuk është rritur asnjë qindarkë dhe këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri tjetër. Ne duhet të derdhim 640 milionë euro në vit për të mbuluar faturat e 700 e ca mijë familjeve e 90 e ca mijë bizneseve në vend.

Deri në fund të vitit duhet të derdhim 295 milionë euro për të kompensuar diferencën mes çmimit real dhe atij që paguajnë qytetarët në faturë.”­ – tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re