Kryeministri Edi Rama ndërsa ka zhvilluar një takim me familjet e prekura nga tërmeti në Bubq nuk i kurseu ironitë.

Rama u shpreh se demokratët do ta kujtojnë kur të futen në shtëpi, ndërsa shtoi se nuk do u ndahet si hije për t’u dhënë dorën sa herë rrëzohen.

“Princit të Emirateve i shkova në shtëpi dhe i kërkova ndihmë. Një gjë e tillë i bie dhe një vendi të pasur dhe nuk e përballon dot. Jo më t’i bjerë Shqipërisë. Nderim dhe respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar. Qeveria është aty për të administruar lekët e taksapaguesve për të siguruar fonde nga të tjerët. Unë besoj se i kemi bërë të gjitha këto ashtu si duhet.

Atyre që thonë hë se janë borxhe u them po mirë çfarë bën ti në shtëpinë tënde kur pikon çatia. Shkon merr borxh dhe e lan pak nga pak. Të gjitha janë bërë ashtu si duhet dhe sot puna flet vetë. Unë pas gjithë asaj balte dhe atyre akuzave jam i vendosur të mos humbas më asnjë minutë me ata që kanë kohë për të humbur duke sharë dhe duke akuzuar që shtëpitë nuk do iua bëjnë, jo po do bëjnë pallat për vete. Do vija unë të bëja në Bubq pallat për vete. Të gjitha këto i merr era.

Më vjen mirë me demokratët e bravave. Do hyjnë në shtëpi dhe do më kujtojnë mua. Këtë nuk kanë si e shmangin. Pastaj do më shajnë. Aman se lekët e popullit janë, nuk ka bërë ndonjë gjë. Drejtori i shkollës këtu më tha shkolla jonë ka më shumë banjo se sa kishte gjithë Bubqi. Për këtë jam në këtë detyrë. Për të lënë një emër të mirë dhe për të mos iu ndarë demokratëve si hije gjithë jetën. Si hije që kur rrëzohesh, të jep dorën dhe të thotë çohu se jemi bashkë”, tha Rama.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re