Kryeministri Rama ka shfrytëzuar takimin e radhës mes bashkëqeverisjen, për t’u përçuar sqarime e mesazhe me gjuhën e ligjit, banorëve protestues te “Astiri”. Projekti i ndërtimit të Unazës së Re parashikon prishjen e shumë godinave, banimi apo biznese, disa të ligjshme e disa jo, për të cilat qeveria ka ofruar variantet e zgjidhjes së problematikës, e cila nuk pranohet nga banorët.

Shefi i qeverisë, i cili ka paralajmëruar një fjalim në parlament të enjten për këtë çështje, ka bërë një parashpjegim të asaj se çfarë po ndodh, duke i gjykuar si të gabuara pretendimet e protestuesve, por dhe formën e protestës.

“Individë që shfaqen kërcënues dhe të lënduar në bllokimin e paligjshëm dhe tërrësisht të pandershëm të rrugës, për të gjithë qytetarët dhe që rezultojnë me nga 4-5 deri në 8 ndërtime pa leje në Tiranë, bregdet apo në zonat nga ku kanë ardhur. Pra individë që në këto vite vetëm kanë ndërtuar pa leje dhe kanë krijuar pasuri pa leje dhe sot kërcënojnë se sot duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve, me gjasë të zabtuar në pronën e tyre nga këta individë apo të komunitetit, të cilit i është marrë prona e përbashkët dhe që meriton të ketë Unazën e Re sipas të gjitha standardeve dhe pa asnjë gajle bllokojnë qarkullimin dhe natyrisht janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të këtij vendi.

Të kesh aplikuar për legalizim nuk do të thotë të legalizohesh nëse ngrehina jote bie në shtratin e rrugës, bie në një zonë arkeologjike, bie mbi tubacionet e ujësjellësit apo kanalizimeve apo aty ku kalojnë linjat e energjisë. Janë të përcaktuara në ligj të gjitha rastet që e bëjnë të palegalizueshme një godinë.

Ka një abuzim të madh me këtë koncept, pasi nuk është e njëjta gjë fare, të kesh ndërtuar një shtëpi në një territor ku nuk i je bërë pengesë  zhvillimit të nesërm dhe të ndërtosh kate të tëra  për biznes në shtratin e rrugës dhe të pretendosh pas 15 vitesh dëmshpërblim 100%. Për çfarë? Mbi ç’bazë të ligjit? Dëmshpërblim nga ku? Nga buxheti i shtetit, që është për të ndërtuar shkolla, kopsht, për të ndërtuar rrugë, spitale, për të rritur pagat, për të rritur pensionet. Nga ky buxhet duhet të  marrin para për të dëmshpërblyer zabtuesit profesionistë, me nga 5 deri në 8 vila e biznese të ndërtuar gjatë viteve e rrumpallës së madhe?! Kjo është e papranueshmë dhe kjo nuk gëlltitet dhe nuk tretet në asnjë mënyrë. 

Kështu që ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen e tyre duke u bërë gazi i botës dhe mish për top të atyre të tjerëve që su ka mbetur asgjë në kokë, asgjë në shpirt, por i ka mbetur të tundin flamurin e shqyer të një opozitë që zë rrugën dhe predikon dëmshpërblim për paligjshmëri”, tha Rama.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re