Shkodra, me bukuritë e shumta natyrore dhe historike, është kthyer në destinacion mjaft të kërkuar për vizitorët vendas, por edhe për turistët e huaj.
Promovimi i potencialit turistik që ofron kryeqendra e veriut, mbetet pika e fortë e numrit gjithnjë e në rritje të turistëve të huaj që zgjedhin këtë destinacion.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ajo që e cilësoi “mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin ‘Nënë Tereza’”, një tjetër gjetje për të promovuar “ngjyrat” e qytetit tek turistët e huaj.
“Një pikë takimi për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shkodrën për të shijuar bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore”, shkruan Rama, krahas videos ku turistët marrin ftesën e parë për të vizituar Shkodrën sapo mbërrijnë në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e Liqenit të Shkodrës, Pedonalja e Shkodrës, Kalaja e Rozafës.
Përveç pasurive natyrore, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, të cilët ngjallin kureshtjen e turistëve.
