Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohje për njerëzit e zakonshëm që shërbejnë nën uniformë për kontributin e dhënë këtë të martë në Durrës dhe Thumanë, dy zonat e prekura nga tërmeti me magnitutë 6.3 ballë të shkallës rihter.

 

Në një postim në Facebook, kreu I qeverisë teksa ka shpërndarë një video gjatë momentit të shpëtimit të një personi nën rrënoja, shpreh mirënjohje edhe për trupat e Kosovës si dhe vendeve aleate që u bënë pjesë e këtij misioni.

 

“MIRËNJOHJE PËR HERONJTË e kësaj dite të paharrueshme dhimbjeje kombëtare, njerëzit e zakonshëm që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, të Zjarrfikëseve; Bluzat e Bardha, që aq rëndom i përgojojmë si s’ka më keq në ditët me diell dhe që prej orësh të gjata po shpëtojnë jetë e po kurojnë plagë të rënda; Trupat Speciale të Kosovës, të cilat u bënë sot shembëlltyra heroike e bashkimit në dhimbje e në sakrificë të kombit tonë; forcat e njerëzore të solidaritet, ardhur me një frymë nga vendet mike, që vazhdojnë të zbarkojnë edhe tani në aeroportin e Rinasit, për të bashkuar fuqinë e eksperiencës e të solidaritetit të tyre, në një betejë këmbëngulëse e cfilitëse, në kërkim të jetës që ende merr frymë nën gërmadhat e natës më të keqe që kemi kaluar si popull prej kushedi se sa vitesh…”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re