Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore vazhdon të tërheqë turistët e huaj. Këtë vit, numri i të huajve që kanë hyrë në vendin tonë është rritur ndjeshëm. Sipas INSTAT, numri i turistëve të huaj gjatë 5 mujorit të parë të vitit është rritur me 42,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të hënë një video në rrjete sociale nga Saranda e mbushur plot me turistë të huaj, të cilët kanë treguar pritshmëritë e tyre. Ata thonë se përveç bukurive natyrore që ofron vendi, vlerësojnë shumë ushqimet tradicionale si edhe mikpritjen e shqiptarëve.

“Është një vend i bukur me njerëz miqësorë. Na pëlqen deti, ushqimi”, tha një turist.

“Njerëzit janë të këndshëm. Pamja është mahnitëse. Gjithçka është e përsosur”, shtoi një tjetër.

“Mendoj se deri tani i përmbush pritshmëritë tona. Kemi vetëm dy ditë që kemi ardhur por do të qëndrojmë për 14 ditë dhe jam i bindur që do të na pëlqejë shumë.”, theksoi një tjetër.

“Më pëlqen që njerëzit janë shumë miqësorë. Të gjithë na buzëqeshin, na mikpresin”.

“Babai im ka një apartament këtu dhe jeton këtu disa muaj të vitit. Mund të vijmë kur të duam, fjala vjen në dhjetor. Ndaj mendoj se do të vijmë shumë herë.”

“Është vend shumë i sigurt. Para se të niseshim kishim pak frikë se mos nuk do të ishim të sigurt këtu por nuk jam ndjerë kurrë më e sigurt. Kemi udhëtuar në Greqi dhe Itali por në fakt na pëlqen më shumë Shqipëria.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re