Kryeministri Edi Rama ka nderuar me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike Gjeneral Major Abbas Ibrahim, për ndihmën që ka dhënë në shpëtimin e grave dhe fëmijëve nga kampet e Sirisë.

Rama tha se Abbas Ibrahim ka qenë krahu i Shqipërisë për të shpëtuar fëmijët nga kampet e Sirisë, fëmijë të cilët ishin dërguar në atë zonë të rrezikshme nga vetë prindërit e tyre, të ndikuar nga ekstremizmi fetar.

“Përshëndetje të gjithëve, sot jemi këtu për të nderuar një mik në ditë të vështira, i cili me shumë përkushtim na ka ndihmuar në mënyrë të pakursyer për të shpëtuar fëmijë dhe gra fatkeqe nga kthetrat e ferrit në kampet e luftës në Siri.

Hero është ai që ka për qëllim ta bëjë botën një vend më të mirë për të gjithë, dhe nuk ka një përshkrim më të saktë se kaq për gjeneralin Abass Ibrahim. Ai ka qenë pika jonë e referimit, ka qenë krahu jon ë i zgjatur në drejtim të atyre fëmijëve dhe grave, ka qenë shqiptari më i mirë, i pakursyer dhe pa asnjë interes tjetër përveç atij human.

Operacione komplekse, sot sidoqoftë pavarësisht vështirësive shumë fëmijë marrin frymë lirisht në atdheun e tyre, bëjnë një jetë të shëndetshme pranë familjarëve të tyre. Ishte një i panjohur që u bë prind për ta, dhe nuk u dorëzua deri në fund, deri kur personalisht i përcolli në derën e avionit. Gjenerali mishëron të gjithë kulturën e vendit të tij”, u shpreh mes të tjerave Rama.

Kreu i qeverisë tha se gjenerali libanez është kujdesur edhe për sigurinë e jetës së personelit shqiptar që kishte shkuar për mision në Siri.

“Bëhet fjalë për të negociuar me shumë faktorë, njëri më misterioz e i rezikshëm se tjetri. Dua të falenderoj gjeneralin për guximin që na ka dhënë, dhe për sigurinë që mund ta mbajmë zotimin. Ai ka krijuar kushte optimale për personelin shqiptar, qoftë për qëndrimin në Liban, qoftë për depërtimin në territorin e Sirisë”, tha më tej Rama.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re