Skip to content

Rama: Në 2020 s’ka lek për makina dhe dollapë, kryebashkiakët të lëvizin me kalë

Rama gjatë mbledhjes se qeverisë paralajmëroi të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës se vitin e ardhshëm do tu shkurtohen në mënyrë drastike ato që quhen shpenzime deri diku luksi.

 

Ai tha se në 2020 buxheti i shtetit nuk do të japë asnjë qindarkë për makina e dollape e si për ta ilustruar këtë gjë Rama tha se kryetarët e bashkive mund të lëvizin edhe me kalë nëse dëshirojnë.

 

“Ne do të kalojmë si fazë të parë nga buxheti i 2020, 0.4% të PBB duke u siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv, asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik. Po studiohet edhe cilat fonde mund të transferohen. Ka një zë që lidhet me të gjitha shpenzimet, në vitin e ardhshëm nuk do të blihet asnjë makinë, nuk do të pajisjet asnjë zyrë, nga ato që kanë qenë rutina dhe do të bllokohen blerjet e makinave, dollapëve, koltuqeve, TV-ve në të gjithë bashkitë e vendit. Kush do të jetë keq për makinë të gjejë një kalë edhe nuk ka problem, kryetar bashkishë me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik. Edhe sidomos kryetarët e njëzive administrative do të ishin të mirëseardhur në komunitet”.

 

Rama shtoi se projekti i rindërtimit nuk do të prekë kurrsesi makro-ekonominë e vendit.

 

“Nuk do të prekim parametrat kryesorë të buxhetit sepse këtu sfida nuk është dhe nuk mund të kthehet të rindërtojmë këtë që u detyrohemi këtyre njerëzve dhe të godasim pjesën tjetër të popullsisë duke goditur ekonominë. Sfida është ti bëjmë të dyja, të sistemojmë njerëzit dhe të mos prekin parametrat kryesorë. Programi duhet të jetë një instrument më shumë për të rritur ekonominë dhe jo një program që do të godiste ekonominë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi, që rezultati të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë për gjithë jetën.”