Kryeministri Edi Rama foli në Komisionin Hetimor edhe për arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Sipas Ramës, Koka është akuzuar për korrupsionin që ai ka kryer me palën tjetër dhe jo për ndonjë vendim qeverie.

Rama gjithashtu u shpreh krenar për të tre impiantet e përpunimit të mbetjeve. Sipas Ramës, aspirata e tij për ndërtimin e tyre ka qenë që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Ish-ministri nuk është i akuzuar as për ndonjë mbledhje qeverie. Ish-ministri është nën akuzë për korrupsion që ai individualisht ka kryer me palën tjetër prandaj kur fola pak më përpara e kishte lidhjen përgjigja ime. Që do të thotë se lidhja mes mbledhjeve, vendimeve, funksionimit të gjithë zinxhirit me akuzën e ish-ministrit është abuzive se nuk ka lidhje fare.

Ajo është një marrëdhënie që dyshohet sepse duhet ta provojë gjykata deri në fund dhe mbi dyshimin është ngritur akuza për korrupsion, por kjo nuk do të thotë që plehrat nuk janë pastruar, kjo nuk do të thotë që impiantet nuk janë ndërtuar… Në Elbasan dhe Fier janë ndërtuar dy vepra për të cilat jam krenar”, deklaroi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re