Në edicionin e 20 të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish besnikërinë e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij në një panel diskutimi, Rama tha se Shqipëria nuk e ka vënë kurrë në dyshim besnikërinë ndaj BE. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shpresojnë që të bien dakord edhe vendet e tjera të unionit.

“Kur vjen fjala për ne dhe për mua, që përfaqësoj vendin tim, është paska ndryshe sepse nëse kryeministri slloven, do të thoshte çfarë mendonte për Brukselin, atëherë nëse e thotë ka shumë për të humbur, ne nuk kemi. Duhet të jemi shumë të hapur dhe nga ana tjetër, përtej asaj se çfarë themi dhe shpreheni, besnikëria jonë nuk është kurrë në dyshim. Si europianë duam të jemi të lirë dhe të shprehim lirisht atë çfarë mendojmë, por kur vjen puna që të ndjekim Europën, ne jemi ndjekës vërtetë besnikë, politika jonë e jashtme është 10% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE. As nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim, sepse kur vjen fjala për besnikërinë jemi disi të verbër dhe kur themi që jemi me ty, jemi me ty deri në fund. Marta Koss do që Shqipëria të jetë në BE, shpresoj që të bien dakord edhe vendet e tjera anëtare”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se BE-ja duhet të bashkohet akoma më shumë për të shmangur rënien.

Rama e krahasoi BE-në me një pacient, ndërsa vendet anëtare si mjekët patologë të gjithë, të cilët tashmë, siç u shpreh ai, duhet të specializohen për të zgjidhur problemet.

“Problemet në Europë nuk lidhen me faktin që Europa është një bashkim, por për faktin që bashkimi duhet të jetë më i fortë, pra këta patologët duhet të specializohen paksa, njëri duhet të jetë kardiolog e kështu me radhë. Në të kundërt do të kemi një rënie të pashmangshme”, theksoi Rama.

Europa ndodhet në një udhëkryq, sipas Ramës, që duhet të zgjedhë nëse do forcohet më shumë duke u bërë Shtetet e Bashkuara të Europës, apo do të përçahet.

“Mendoj që problemi kryesor që ka Europa është çfarë drejtimi do të marrë. Do thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në Shtetet e Bashkuara të Europës apo do shpërbëhet në copa të ndryshme me gjithësecilin që vendos se sateliti i kujt do bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh e të jesh vetëm”.

 Kryeministri këshilloi Europën që të jetë më e hapur dhe të bëhet mike edhe me shtete që mendojnë e jetojnë ndryshe.

“Fakti që kemi opinione të ndryshme për mënyrën si jetojmë nuk është arsye për t’u veçuar, e për të thënë që nëse do të bëhesh mik me ne duhet të bëhesh si ne, sepse në fund rrezikon të humbasësh më shumë miq. Nga ana tjetër të jemi shumë herë më të hapur kundrejt botës. Europa të jetë udhëkryqi nga ku kalojnë të gjithë. Duhet të jemi miq njëherë përpara se sa të jemi aleatë strategjikë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re