Kryeministri Edi Rama, teksa po merr pjesë në eventin e prezantimit të shërbimeve satelitore, u ndal edhe tek çështja e Kadastrës, shërbimet e së cilës janë kthyer prej pak ditësh të gjitha online.

Kreu i qeverisë tha se është i bindur që shumë vende në Kadastër, të cilat janë zënë padrejtësisht, do të lirohen dhe do t’u hapet mundësia të rinjve të konkurrojnë dhe të fitojnë.

“Dje më çonte dikush një screenshot me një drejtor të Kadastrës së një qarku, të cilit i kërkonte një ndihmë për një dosje dhe drejtori thoshte se në kompjuter nuk del asnjë për pronat e qarkut tonë por na del Bulqiza apo Gramshi dhe po më ikin punonjësit. Arsyeja se pse disa punonjës ikin kur iu del Bulqiza apo Gramshi ndërkohë që presin t’ju dalë ndonjë copë e majme e këtyre territoreve është e qartë. 

Nga ana tjetër, jam i bindur se ky transformim do të sjellë një lehtësim të jashtëzakonshëm për qytetarët por edhe një mundësi për të gjithë të rinjtë të shkolluar që duan të shërbejnë për shtetin me paga tërësisht konkurruese me tregun sic do të jenë së shpejti pagat e Kadastrës.

Më në fund, vendet e punës do të jenë të arsyetuara me kontributin që njerëzit japin për punën. E kam shumë të qartë që në Kadastër do të na lirohen shumë vende të zëna padrejtësisht.”, tha kryeministri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re