Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka reguar mbi lajmin e publikuar dje nga Reuters, se dhjetra mijëra afganë do të dërgohen në Shqipëri dhe në Kosovë, në sajë të marrëveshjeve që SHBA po bën me zyrtarët e dy vendeve tona.

SHBA ka vendosur që të largojë nga Afganistani të gjithë bashkëpunëtorët e saj për ti shpëtuar një hakmarrje të mundshme të talebanëve, dhe për strehimin e tyre mes të tjerave ka përzgjedhur edhe Shqipërinë e Kosovën.

Manjani shprehet se qeveria shqiptare do ta shfrytëzojë këtë situatë tërësisht për politikë, dhe janë shitur shumë lirë që të pranojnë strehimin e afganëve.

Postimi i Manjanit:

Amerika që ka shpenzuar 2.261 trilion dollarë për luftë kundër talebanëve dhe ku humbi rreth 180 000 njerëz atje, nuk paska sot një vendstrehim të përkohshëm në një shtet kufitar me Afganistanin për të strehuar bashkëpunëtorët e saj?!

E meqë nuk ka atje, REUTER thotë se Amerika po kërkon vend në Shqipëri.

Nuk paska Amerika një shtet aleat më të kamur që ta ndihmonte më mirë në këtë përpjekje, por Shqipëria e Kosova i paskan mbetur?!

Shumë çudi!

Jam i bindur që qeveria jonë do ta pranojë strehimin e përkohshëm të tyre, jo për humanizëm, por për politikë.

Dmth për këto deklarimet qesim që këput zonia Kim e ndonjëherë edhe zoti Palmer. Është komode të sundosh në vendin tënd me deklarata nga të huajt… Aq më tepër në një shoqëri që vijon të jetojë me lajmet e faqes 4 të Zërit të Popullit…!!!

Të paktën t’ia kishin dhënë shansin shqiptarëve që të shprehnin humanizmin edhe në këtë rast!

Shqiptarët pranojnë të hapin dyert e shtetit të tyre pa asnjë paragjykim, por qeveria i keqpërfaqëson.

I prezanton ata shumë cheap!!!

Nejse, prap një gjë nuk e kuptoj:

tek i vënë në avionë për t’i nxjerrë nga Afganistani, përse nuk i çojnë direkt në Amerikë?! Atje i kanë shumë kollaj ti paisin me dokumentacion dhe me shumë më pak shpenzime…

Apo eficensë Amerikane…

Administrata e Presidentit të SHBA, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, për të siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve që punonin për qeverinë amerikane.

Lajmi është bërë i ditur për “Reuters” nga katër zyrtarë amerikanë, të cilët janë shprehur se administrata amerikane kërkon të mbrojë afganët e lidhur me SHBA-në nga hakmarrjet talebane, ndërkohë që përfundojnë në mënyrë të sigurt procesin e miratimit të vizave të tyre amerikane.

Teksa talebanët po përparojnë në mënyrë të frikshme drejt qëllimit të tyre për të marrë nën kontroll Afganistanin, Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë 1.000 punonjës në Katar për të përshpejtuar përpunimin e aplikimeve për Vizat Speciale të Imigrimit (SIV).

Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane dhe ata që kanë kryer punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për programin SIV.

“Është thellësisht shqetësuese që nuk ka ndonjë plan konkret për evakuimin e aleatëve të cilët janë qartazi në rrezik”, tha Krish O’Mara Vignarajah, President i Organizatës së Zhvendosjes së Shërbimit Ligjor të Imigrimit dhe Refugjatëve.

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19, para se të lejohen të fluturojnë.

Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata amerikane të “hedhë sytë” te disa vende të tjera dhe t’i “joshë”.

Sipas “Reuters”, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe politike për Kosovën në këmbim që të pranojë disa mijëra afganë. Por në të njëjtën kohë, ka shqetësim në Uashington për aftësinë e Kosovës për të strehuar afganët.

As Ministria e Jashtme e Kosovës dhe as autoritetet në Shqipëri nuk kanë dhënë asnjë koment për këtë kërkesë. E njëjta kërkesë iu është drejtuar edhe Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit.

Deri më tani, rreth 1,200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3,500 në javët e ardhshme në kuadër të “Operacionit të Aleatëve Refugjatë”. Disa do të shkojnë në një bazë ushtarake amerikane në Virxhinia për të përfunduar dokumentet e tyre.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re