Kryeministri Edi Rama kërkon që Bashkimi Evropian të ndërtojë një qasje të re me 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, lidhur me procesin e integrimit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Sarajevë me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo, Edi Rama u shpreh se BE duhet të mbështesë më shumë duke dhënë prova se sjellja e mirë shpërblehet.
“Qysh nga dita e parë e çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, ne kemi nisur këtë përpjekje dhe na vjen shumë mirë që në nivelin e Komisionit Evropian ka një ndjeshmëri dhe ka një proces i cili është lajmëruar nga presidentja Von der Leyen, lidhur me një mbështetje të re në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor. Padiskutim, ne e mirëkuptojmë plotësisht dhe e mbështesim plotësisht mbështetjen që Bashkimi Evropian i jep në çdo aspekt Ukrainës dhe nuk ka vend për të bërë asnjë krahasim, por nga ana tjetër është e domosdoshme që në raport me Ballkanin Perëndimor, në raport me 6 vendet tona, të ndërtohet një qasje e re. Nuk besoj se ne duhet të fillojmë ndonjë luftë apo të na vijë ndonjë agresor që të marrim më shumë mbështetje.
Bashkimi Evropian duhet të na mbështesë edhe më shumë, duke dhënë edhe një provë tjetër, se sjellja e mirë shpërblehet, se vullneti për të ndërtuar paqe, se vullneti për ta lënë pas të shkuarën dhe për të përaqfuar së bashku të ardhmen shpërblehet”, theksoi ai./
