-Rama në Turqi takon Erdogan dhe Alijev/ Bashkëpunim dhe fuqizim i ekonomisë në kushtet e përballjes me COVID-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në rezidencën e tij verore në Marmaris të Turqisë.

Rama tha se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe sfida e kohës për fuqizimin e ekonomisë në kushtet e përballjes me COVID-19 ishte në fokus të këtij takimi.

Po ashtu ai theksoi se në takim u diskutua edhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Me Presidentin e Turqisë, mikun e çmuar Rexhep Tajip Erdogan, në një nga bisedat gjatë qëndrimit në rezidencën e tij verore në Marmaris, ku folëm gjerësisht për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Turqisë, sfidën e kohës për fuqizimin e ekonomisë në kushtet e përballjes me Covid-19, ecurinë e bashkëpunimit dypalësh, si edhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev vendosën gjatë një takimi këtë të hënë në Turqi disa piketa mbi bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe turizmit.

Rama theksoi se temë e takimit ishte edhe çështja e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi.

“Me Presidentin e Azerbajxhanit, mikun e mirë Ilham Alijev, vendosëm sot(të hënën) në Turqi disa piketa mbi bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe turizmit. Prekëm konkretisht edhe çështjen e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë”, tha Rama.

***

-Kryeminstri Rama: Alternativa e vetme të jemi pjesë e BE-së

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama deklaroi të martën nga Athina se “vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë në një moment shumë të rëndësishëm historik midis një të shkuare që duan ta lënë pas krahëve dhe një të ardhme që ende nuk ka ardhur, për të qenë tërësisht të integruar në Bashkimin Evropian”.

Në takimin e organizuar nga “THE ECONOMIST”: Ballkani Perëndimor përtej 2020-s, kryeministri Rama theksoi se “kjo është diçka e dukshme dhe duket sikur ka një lloj mallkimi se kur ne ishim në formë jo të mirë ata nuk uleshin në tryezë, tani që jemi ne në formë të mirë janë ata në formë të keqe. Ne nuk kemi një alternativë tjetër, e vetmja alternativë është të jemi pjesë e Bashkimit Evropian jo sepse na i kërkojnë këtë miqtë më të mëdhenj e të fuqishëm, por sepse kjo është kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm, është ëndrra e përhershme e etërve tanë”.

“Në Ballkanin Perëndimor qysh prej kohësh jemi përfshirë në një bashkëpunim, një paqtim dhe mendoj edhe pse ka çështje të tilla si çështja e Kosovës, mosnjohja nga Serbia ne kemi qenë në gjendje të ulemi dhe të diskutojmë e argumentojmë bashkë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “këto janë kohë të veçanta sepse jemi goditur të gjithë nga kjo pandemi dhe sipas parashikimeve të organizatave ndërkombëtare, rajoni jonë do jetë ai më i godituri fort. Megjithatë besoj se ka potencial për të çliruar e për të ecur përpara duke mbyllur hendeqet e së shkuarës”.

Mendoj, vijoi Rama,  se lajmi i mirë është që mosmarrëveshjet mund të zgjidhen së bashku dhe dialogu është i vetmi instrument. Sipas tij, shembull për mosmarrëveshjet në rajon ishte dialogu Greqi-Maqedoni e Veriut.

Më herët  kryeministri Edi Rama ka takuar kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis gjatë një vizite të tij në Athinë. Rama pas takimit ka theksuar se “marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve janë busulla jonë drejt shkëlqimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

***

-Kryesia shqiptare e OSBE-së/ Ministri Cakaj: Promovimi i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, prioritet

Promovimi i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik nëpërmjet luftës kundër korrupsionit prioritet themelor i Kryesisë Shqiptare të OSBE-së.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik dhe Mjedisor, që u zhvillua në Pragë.

Në fokus të këtij takimi ishte rëndësia e përdorimit të teknologjive të reja dhe platformave digjitale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Promovimi i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik nëpërmjet luftës kundër korrupsionit është një prej prioriteteve themelore të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së”, u shpreh Cakaj lidhur me pjesëmarrjen në këtë forum.

Gjithashtu, kryediplomati Cakaj bëri me dije se mënyrat e ruajtjes së privatësisë dhe sigurisë kibernetike, lufta kundër mashtrimeve në sistemet financiare, shfrytëzimi i teknologjisë në shërbim të llogaridhënies publike e transparencës institucionale janë prej çështjeve kryesore në shtjellim e sipër prej ekspertëve të fushave dhe përfaqësuesve të lartë të vendeve pjesëmarrëse.

“Shqipëria si Kryesi e radhës e OSBE-së ndërkaq, është duke kryer detyrën e saj për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse në funksion të përdorimit efiçient të teknologjisë kundër korrupsionit”, përfundoi Cakaj.

***

-Ambasadori i Turqisë takon Shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük zhvilloi një takim kortezie me Gjeneralmajorin Bajram Begaj, me rastin e marrjes së detyrës së re si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në këtë takim ambasadori turk së bashku me Gjeneralin Begaj folën për çështjet bilaterale të bashkëpunimit ushtarak dhe të mbrojtjes si dhe diskutuan dhe për zhvillimet e fundit në rajon.

***

-Në Shqipëri ka nisur në kushtet e pandemisë procesi mësimor për vitin e ri shkollor parauniversitar

Në mbarë Shqipërinë, 31 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa institucionet arsimore të sistemit parauniversitar për vitin e ri shkollor 2020-2021 kanë hapur dyert të hënën, më 14 shtator për nxënësit e shkollave të mesme dhe shkollave 9-vjeçare, sipas masave të përcaktuara për mbrojtjen ndaj pandemisë së koroavirusit të ri, Cocid-19.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit zyrtarë të lartë të shqiptarë, si Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama.

Zëri i Turqisë-TRT ka ndjekur nisjen e vitit të ri shkollornë medresenë e Shkodrës, “Haxhi Sheh Shamia”, më e madhja në Ballkan për nga numri dhe ndër shkollat më cilësore dhe bashkëkohore, që financohet nga shoqata turke “Istanbul”, ku nxënësit janë paraqitur në shkollë duke zbatuar protokollin e masave të vendosur nga institucionet.

Më këtë rast Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari zhvilloi një vizitë në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, ku uroi drejtorin Kujtim Dervishi me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021.

Myftiu uroi drejtorin e Medresesë “për një vit sa më të mbarë në rrugën e sukseseve. siç jemi mësuar prej dekadash me arritjet e medresesë sonë”.

Nga ana e tij, z. Dervishi  e informoi Myftiun për detajet e nisjes së vitit të ri shkollor dhe angazhimin maksimal për realizimin e objektivave të planifikuara për këtë vit shkollor.

Myftinia Shkodër uron nxënësit e Shkodrës dhe më tej për një vit shkollor plot suksese dhe mbarësi, pa dëme e vështirësi!

***

-Në Tiranë zhvillohet protestë për riatdhesimin e fëmijëve nga Siria

Në kryeqytetin shqiptar në fillim të kësaj jave është organizuar një protestë sensibilizuese me thirrjen që të riatdhesohen fëmijët shqiptarë që gjenden në kampet në Siri.

Me sloganin “Të harruar në Siri: Ktheni fëmijët tanë në shtëpi”, familjarët e fëmijëve shqiptarë që janë aktualisht në kampe në Siri iu kanë bërë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që t’i riatdhesojnë.

Sipas disa prej organizatorëve të protestës, që u organizua para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, me dhjetëra fëmijë aktualisht janë në kampet në Siri.

Me pankartat me mbishkrimet “Asnjë fëmijë nuk e meriton këtë”, “Edhe sa duhet të presim”, familjarët dhe pjesëmarrës të tjerë kanë përsëritur thirrjet e tyre për institucionet e Shqipërisë që të vazhdojnë procedurat për të sjellë fëmijët në Shqipëri…

Pjesë e kësaj protestë ishin edhe përfaqësues të klerit mysliman dhe të krishter. Ish-myftiu i Tiranës, Gurra bëri thirrje për rikthimin e këtyre fëmijëve të pafajshëm…

Protesta e cila u mbështet edhe nga dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile u shpërnda pa incidente pas thirrjeve të policisë, e cila iu kërkoi protestuesve që të shpërndahen për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit.

Disa muaj më parë, për çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve në kampet e Sirisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është një situatë shumë komplekse, ndërsa theksoi se, “Shpresoj të kemi rezultate, sepse janë operacione shumë të ndërlikuara dhe shumë sensitive”.

***

-Instituti “Yunus Emre” organizoi ekspozitën: “Rrugëtimi i Haxhit”

Përmes institutit turk “Yunus Emre”, Shkodër, është organizuar para pak ditëve në bashkëpunim me Drejtorinë e Arkivave Shtetërore të Republikës së Turqisë, ekspozita: “Rrugëtimi i Haxhit”, të përbërë nga dokumente dhe fotografi.

 “Surre-i Hümâyûn” (Rrugëtimi i Haxhit), nënkupton “dhuratat dhe paratë që përgatiteshin nga sulltanët osmanë për t’u shpërndarë në kohën e Haxhit tek punonjësit e Ravza Mutahhara në Medine, përgjegjësit e Mesxhidi Haram në Mekke dhe nëpunësit e Mesxhidi Aksa në Jerusalem; tek të varfrit që jetonin përreth vendeve të shenjta në këto qytete, dijetarët dhe punëmirët, të cilët bëheshin shembull me mënyrën e jetesës së tyre”.

Ekspozita “Rrugëtimi i Haxhit”, përgatitur në bashkëpunim me Drejtorinë e Arkivave Shtetërore të Republikës së Turqisë, u transmetua në llogaritë e rrjeteve sociale të institutit turk “Yunus Emre” në Facebook dhe Instagram me mundësinë e përzgjedhjes me titra në gjuhët turke, shqipe, arabe dhe angleze.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re