Ekipit i cili do të merret drejtpërdrejt me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën anëtarësuese në familjen evropiane, kryeministri Edi Rama i kërkon mbiangazhim në shqyrtimin e mangësive në legjislacionin tonë dhe më pas përshtatjen e tij me atë të Bashkimit Evropian.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Dua që të jemi shumë të qartë që ju e dini shumë mirë, jam i bindur, por nuk është e tepërt ta përsërisim se në këtë proces intensiteti i punës suaj dhe intensiteti i  ndërveprimit me Komisionin Europian, rritet eksponencialisht, pra nuk jemi më në kushtet e një ndërveprimi me intensitetin e deritanishëm.  Mjafton të kemi parasysh që vizitat tuaja në Bruksel dhe të përfaqësuesve të Komisionit këtu, janë të përjavshme, nuk janë të përdisamuajshme por janë të përjavshme.Dhe është themelore që secila dhe secili prej jush të garantojë me punën, me seriozitetin, me cilësinë e materialeve, me cilësinë e komunikimit dhe të ndërveprimit që Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap.  Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik, duhet ta fitojmë tani në aspektin teknik. Unë dua që në Bruskel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht pozitive dhe dua që në Bruksel të flitet për seriozitetin, të flitet për këmbënguljen, të flitet për kapacitetet dhe të flitet për cilësinë e punës të skuadrës shqiptare.

 

 

Rezultat konkret kërkoi edhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka, që njëherësh është edhe ministrja e shtetit që do të ketë përgjegjësinë e drejtpërdrejt në informimin mbi ecurinë e negociatave.

 

MAJLINDA DHUKA

KRYENEGOCIATORE, MINISTRE E SHTETIT PER ÇESHTJET ME BE

 

“Faleminderit për besimin tuaj dhe të qeverisë shqiptare. Është me përgjegjësi të lartë që e nis detyrën time sot. Të dashur kolegë, kërkoj bashkëpunim, shpejtësi, progres, rezultat. Me shumicën prej jush kam punuar edhe më herët. Momenti është historik, besimi qe na është dhënë është i veçante, do t’ju lutesha për bashkëpunim maksimal”

 

 

Përveç këtij ekipi ku pjesë e tij janë zëvendësministra apo drejtues të institucioneve të ndryshme, kryeministri Edi Rama e sheh të udhës edhe krijimin e një këshilli ndërministror, që si detyrë do të ketë adresimin e problematikave që do të ndeshen gjatë rrugës për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Duke u nisur nga disa eksperienca positive të disa vendeve që kanë kaluar nga kjo rrugë, mendoj që është e udhës që ne t’i japim jetë një Këshilli Ndërministror për çështjet europiane, që do duhet të garantojë një vazhdimësi në diskutimin e brendshëm, lidhur me qoftë qëndrimet, qoftë dhe ecurinë e procesit të negociatave sepse, thashë, ky është një proces kaq intensiv, kaq sfidues dhe kërkon një thellësi kaq të madhe të ndërveprimit dhe koordinimit, saqë praktikisht nëse ne nuk bëjmë nje ekstra sforco që të gjithë do ta kemi të pamundur që të japim rezultatet e dëshiruara dhe ky këshill do të na ndihmojë. Do të jetë një Këshill që do të jetë në përgjithesi Këshilli juaj, në sensin që do të mblidhet në mënyrë periodike me kërkesë të Ministres së Shtetit sa herë që është e nevojshme që të behet një bilanc apo të adresohen problematika të caktuara, apo të nënvizohen dobësi të caktuara, të cilat kërkojnë një adresim të natyrës politike dhe po ashtu do të mblidhet në raste të caktuara me kërkese të Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme apo me kërkesë timen për ndonjë çështje të veçantë të natyrës edhe politike që kërkon një konsultim edhe me ju, sipas sektorëve të caktuar, por si të thuash është një forum i brendshëm për të pasur sensin e ecurisë së gjërave, sepse është shumë e rëndësishme që të mos punoni vetëm si ishuj të izoluar nga njeri-tjetri. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re