TIRANË- Nga e hëna, 3 korrik, do të mbyllen mbyllen sportelet e kadastrës dhe shërbimi do të merret online. Tashmë qytetarët do t’i drejtohen platformës e-albania, nga e cila do të arrijnë të marrin dokumente me nënshkrim dhe me vulë elektronike.

Kryeministri Edi Rama dha detaje se si do të veprojë ky proces dhe si do trajtohet një pronë. Ai tha se askush nuk do ta dijë më fillin, se si do të trajtohet një pronë dhe kjo shtoi Rama do t’i japë fund fenomenit të korrupsionit.

“Ditën e hënë, më 3 korrik ,kadastra nuk është e aksesueshme, për publikun dhe askënd tjetër. Askush në kadastër nuk do mundet t’i përgjigjet asnjë nga kushërinjve që keni futur, asnjë nga miqtë e miqve që keni futur në kadastër. Nuk do t’ju përgjigjen, sepse nuk keni më gjë në dorë.  Nga e hëna, kadastra do jetë makineri digjitale. Punonjësit aty brenda, të cilët e them me kënaqësi se një pjesë, kanë filluar të largohen, sepse nuk kanë asnjë mundësi të bëjnë asgjë tjetër përveçse punës së tyre para një kompjuteri, nuk e devijojnë në asnjë drejtim sipas dëshirës. Nuk mund të kesh zgjedhje ti se kujt mund ti shërbesh. Nga e hëna, tre korrik, punonjësi i Kadastrës në Shkodër, do punojë si t’ia nxjerrë algoritmi rastin për të trajtuar për një pronë në Delvinë, punonjësit të Gjirokastrës do ti dalë në kompjuter rasti për të trajtuar një pronë në Tropojë dhe askush nuk do gjejë fillin se si  trajtohet prona, përveç makinerisë digjitale. Qytetarëve u bëj thirrje të mos shkojnë në kadastër, sepse nuk i pret askush. Kadastra është një dritare përmes e-albania. Aty bëhen aplikimet, aty merren përgjigjet, aty vjen dokumenti me vulën dhe me nënshkrimin elektronik.”, tha Rama.

Kryministri tha se do të ketë rritje të konsiderueshme të pagash për punonjësit. Ai u bëri thirrje që profesionistëve të fushave që kërkohen nga institucioni të aplikojnë në vendet e punës, që janë të lira.

“Rritja e pagave të Kadastrës do jetë shumë e konsiderueshme sepse punonjësit duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarët. Për këtë kemi diskutuar. Përfitoj nga rasti t’u bëj apel atyre që janë profesionistë në ato profesione që Kadastra i kërkon”- tha Rama. /n.m.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re