Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo njoftoi se së shpejti do të hapet ambasada shqiptare në Sarajevë. Kreu i qeverisë kërkoi gjithashtu që të mundësohet edhe lëvizja e lirë të qytetarëve të Kosovës.

“Uroj që ky të jetë një shembull se si të gjithë vendimet dhe proceset kaq të rëndësishme për mirëqenien e përbashkët duhet të merren dhe zbatohen. Dëshirojmë t’i forcojmë mardhëdhëniet me Bosnjen dhe jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë.  Në Bosnje jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në ligjin e minoriteteve të republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë edhe kryeministres që jemi të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që të kemi problematika të kësaj natyre ndërkohë që politika duhet të mbështesë.

Dhe, dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnja Hercegovina do ta bëjë këtë gjë. Nga ana tjetër erdha këtu për ta informuar atë cka ne duam të bëjmë në samitin e Procesit të Berlinit të tetorit në Tiranë”, tha kryeministri Rama.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re