Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi se opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet nga aksioni i saj dhe premtoi që nuk do të ketë seancë normale në Kuvend, deri në momentin që sipas saj, të respektohen të drejtat kushtetuese.

Në një lidhje me News24, Vokshi deklaroi se deputetët e opozitës ditën e sotme janë kontrolluar me skenar dhe fizikisht, një akt i paprecedentë sipas saj.

Ajo po ashtu shtoi se ndodhi ajo që Gazment Bardhi deklaroi pak ditë më parë, në solla ishin 2 gardistë për një deputet.

“Ashtu si nisi në mënyrë antikushtetuese, ashtu edhe përfundoi. Askush nuk e di se çfarë ka miratuar Edi Rama nën tymin e flakadanëve. Ne nuk do të lemë të ketë seancë normale nëse nuk do respektohen të drejtat e opozitës. Ishte ajo që Bardhi e paralajmëroi që ditën e shtunë. Nxori një foto sesi do ishte vendosja e gjithë gardistëve.

Dhe ishte e njëjta me atë që ishte sot. Kishin hyrë qindra gardistë brenda dhe të tjerë jashtë. Po pse kjo? Sepse sot vinte Edi Rama. Në asnjë rast nuk lejohet që garda të futet në mes të deputetëve. E dini se sot ka pasur dy gardistë për çdo deputet? Në pjesën e brendshme, të hollit dhe në pjesën e jashtme. A është parlament i lirë ky?

I kam kërkuar drejtuesit të gardës që të më tregojë urdhrin. Kushdo që ka fut gardën brenda, ka shkelur kushtetutën. SPAK duhet të hetojë.

U bënë kontrolle fizike deputetëve, e paprecedentë! Jo vetëm kontrolle me skaner, por edhe fizike. Nuk e ndal gjë protestën. Rama i ka bërë llogaritë keq me ne. Nuk na cakton dot, nuk na kontrollon dot.

Rama sot kishte ardhur për të folur, por ai është frikacak dhe iku pa folur dhe e mbylli me 4 minuta. Mos i besoni ato që shkruan nga zyra, por shikoni si e ka të nxirë fytyrën në seancë plenar”, tha ajo.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re