Kryeministri Edi Rama në turin e falenderimeve u ndal këtë të hënë edhe në Lushnje, ku zhvilloi një takim me qytetarët, i shoqëruar nga kryebashkiakja Eriselda Sefa dhe drejtuesi i qarkut Taulant Balla.

 

Në fjalën e tij, Rama dha sinjale të forta për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se ka momente kur ka shtrënguar dhëmbët kur disa njerëz kanë abuzuar me mbështetjen e tij.

 

Megjithatë, Rama vuri në dukje se nuk ka ndodhur më parë që njerëz të fuqishëm të shkojnë para drejtësisë.

 

“Nuk na falet të mos bëjmë gjithçka. Kam shumë besim që gjërat do vazhdojnë të bëhen gjithmonë e më mirë. Por duhet të kemi durim. Ka momente që duhet të shtrëngojmë dhe dhëmbët, kur shikojmë njerëz që papritur e pa kujtuar që besimin tuaj dhe mbështetjen tonë të përbashkët e abuzojnë, dhe na bëjnë të gjithëve të skuqemi kur i shohim.

 

Por duhet të jemi shumë krenarë që i kemi dhënë këtij vendi mundësinë të bëjë drejtësinë, duke u sjellë ashpër me të fuqishmit. Nuk ka ndodhur kurrë në këtë vend, që njerëz të fuqishëm të shkojnë para drejtësisë.

 

E di që ka shumë gjëra që nuk shkojnë edhe me këtë drejtësinë e re, dhe shumë gjëra që do donim t’i shikonim ndryshe. Por të mos harrojmë që çfarë ka ndodhur sot, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk mund të bëjmë dot atë që nuk u bë në 500 vjet. Por mund të bëjmë më shumë që fëmijët të mos paguajnë të keqen”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re