Kryeministri Edi Rama tha nga Shkodra se fitorja që i dhanë shkodranët është e veçantë dhe për këtë arsye meriton një vëmendje të veçantë. Në takimin falenderues pas fitores në zgjedhjet e 14 Majit, Rama premtoi se do të bëjë të pamundurën për të ‘zgjuar’ potencialin që ka ky qytet.
“Kjo është një fitore e veçantë dhe kërkon një vëmendje jashtëzakonisht të veçantë sepse nga një anë na është dhënë një besim i madh por nga ana tjetër, është ajo që e kam thënë edhe më përpara, nuk është vetëm çështja e Shkodrës por e Shqipërisë dhe ekonomisë së saj.
Shkodra është një fuqi e madhe e fjetur në aspektin e potencialit që ka për ekonominë dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe ne duhet ta zgjojmë sa më shumë këtë potencial natyrisht për të mirën e shkodranëve por edhe në funksion të së mirës të të gjithë Shqipërisë.
Është zona më e bekuar e Shqipërisë. Natyrisht që për katër vjet nuk mund të zgjohet gjithë ky potencial i fjetur por janë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim që prek jo vetëm sytë por edhe mendjet dhe zemrat e njerëzve dhe i bën të jenë krenar jo vetëm për historinë por edhe kur dikush vjen sepse do ta presin në një shtëpi të pastër dhe ku ke qejf të hysh.
Jo në një shtëpi ku të mbyt papastërtia dhe ku futesh në një rrëmujë të madhe dhe duhet të rrish të kërkosh se ku janë thesaret e shtëpisë.“, tha Rama.
