Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në qytetin e Shkodrës, ku një ditë më parë zhvilloi një takim me krerët e bashkive të vendit, ndërsa sot u ndal në një bisedë me socialistët.

Në fjalën e tij Rama theksoi se Partia Socialiste bëri të mundur t’i rikthejë krenarinë e humbur Shkodrës, një qytet i marrë peng për vite të tëra.Sipas tij rruga e zhvillimit jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë nuk ndalet.

“Punë të cilën, nuk diskutohet, ne dhe unë personalisht e mbështesim pa kushte dhe pa kufizim. Sepse Shkodra është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin kombëtar. Jo thjesht sepse Shkodra është e prapambetur edhe me bashkitë e tjera, për arsye që i dimë, Shkodra ishte pengu i një krenarie të humbur, që përkthehej në një mllef asgjësues, duke u kapur pas të shkuarës. Sot, Shkodra po bëhet hapësira e një krenarie të fituar, që ushqehet nga ndenja e të qenurit në qendër të vëmendjes, të shikuarit të ndryshimit të mundshëm, dhe ndjenja e të ardhmes. Për mua, është shumë e rëndësishme krenaria e mbështetur në atë që ne mund të bëjmë së bashku, shqiptarët mund të bëjnë së bashku. Ushqimi i ndjenjës së krenarisë për Shqipërinë, është themelor për të siguruar të ardhmen që meritojnë brezat e ardhshëm.

Shkodra sot është një laborator i të shkuarit përtej kufijve partiakë dhe të kuptuarit interesit dhe qëllimeve të përbashkëta, duke i mbrojtur më mirë duke kapërcyer kufijtë partiakë. Partia Socialiste është një instrument për të realizuar qëllime të përbashkëta që kanë të bëjnë me njerëzit, me vendin. Kjo është ajo që kam dashur të them prej kohësh, Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, ka humbur kohë me ndasira që nuk i kanë shërbyer, i kanë shërbyer vetëm atyre që kanë dashur të kenë sa më shumë njerëz të verbër nga mbrapa për pushtetin e tyre.

Nuk ka qytet të ketë det, liqen, lume, koda, male dhe të ketë edhe majat më të larta të vendit. Pa llogaritur trashëgiminë kulturore, historike, kjo është një pasuri që i takon të gjithëve, nuk është pasuri për të majtët dhe të djathtët. Sot po e shohim që është vetëm fillimi i fillimit. Atmosfera ka ndryshuar. Ta mbështesim këtë progres. Kemi premisa për ta çuar vendin aty ku duhet, për ta çuar Shkodrën aty ku duhet”, theksoi ai.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re