Ka përfunduar takimi në kryeministri i disa mjekëve me shefen e kabinetit të kryeministrit pas paralajmërimit të tyre për protesta. Pas takimit, Gentian Stroni u shpreh se kërkesat që ata kanë shtruar do të vijojnë të diskutohen në javët e ardhshme, në tryeza më të vogla, duke lënë të kuptohet se nga takimi i sotëm nuk është arritur asgjë konkrete.

“Krijuam një kalendar për të gjithë kërkesat. Nga java e ardhshme, do kemi grupet e punës nga sindikata dhe qeveria për të arritur në përfundimet që donim. Pra do jetë pjesë e një diskutimi tjetër, një tavoline tjetër me grupe më të vogla. Kërkesat tona janë parë të drejta nga ana e qeverisë, dhe kjo është ajo që ne mund të themi në përmbyllje”, u shpreh Stroni, që zbuloi se në kryeministri në fakt nuk i ka pritur Edi Rama.

Ndërkohë që ministrja Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët janë asetet më të mira të vendit.

“Ajo që mund tiu them që ne kemi diskutuar konkretisht për pikat që drejtuesit e suindikatës na kanë përcjellë, ka pika që do trajtohen në mënyrë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Takimet do nisin që javën tjetër, mjekët dhe infermierët e kanë MSH-në si shtëpinë e tyre, forca jonë më e madhe dhe aseti ynë më i çmuar janë pikërisht ata”, tha Manastirliu.

Rama ka premtuar prej disa ditësh rritjen e pagave të mjekëve dhe të infermierëve deri në 40%, por derimë tani ende nuk ka një plan konkret që të reflektohet në buxhetin e vitit të ardhshëm. Në takim ishin të pranishëm sot vetëm mjekët Gentian Stroni dhe Arjan Mezini, si dhe kreu i QSUT Enkelejd Joti dhe Ogerta Manastirliu.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re