Skip to content

‘Rama, një fotokopje e Gruevskit’, ish-ambasadori grek në Shqipëri: Ka marrëdhënie personale me Vuçiç

Ish-ambasadori grek në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Aleksandër Mallias, thotë se vendimi i Brukselit për të mospranuar që dy vendet të nisin procesin e bisedimeve, ishte i pritshëm për të.

Në një intervistë për Huffingtonpost.gr, një nga diplomatët më me eksperiencë në Ballkan, thotë se e kishte parashikuar dështimin e Tiranës dhe Shkupit, në librin e tij, “Greqia dhe Maqedonia e Veriut”. Më tej, ai vë një paralele mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski.

“Zoti Rama është fotokopja shqiptare e Gruevskit. Në Shkup kishim Gruvskin, në Tiranë kemi Ramën. Nuk jam i sigurtë nëse zoti Rama dhe ekipi i tij, janë indiferentë ndaj këtij zhvillimi.

Klasa politike shqiptare ka një përgjegjësi të madhe për imazhin problematik që përcjell ky vend pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa një sistem drejtësie funksional. Zhvillime që janë në disanologji me përpjekjet e njerëzve atje, të cilët janë të detyruar të ikin, duke braktisur masivisht Shqipërinë.”-thotë Mallias.

Për të, Bashkimi Evropian ka humbur besueshmërinë, dhe ai bën me faj për situatën edhe Federica Mogherinin. Ish-ambasadori thotë se Rama, Thaçi e Vuçiç kanë marrëdhënie tejet të mira edhe personale me njëri-tjetrin.

“Bashkimi europian dhe disa vende duhet të kuptojnë se kanë humbur besueshmërinë dhe një përgjegjësi të madhe për këtë ka zonja Mogherini, sidomos sa u takon vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Premtime dhe garanci që tejkalonin kompetencat dhe mundësitë e saj. Udhëheqja e Serbisë dhe zoti Vuçiç kanë marrëdhënie shumë të mira personale dhe politike sa me presidentin e Kosovës zotin Thaçi, aq edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës i takon tashmë së shkuarës, por nëse nuk mbyllet njëherë e përgjithmonë do të jetë një shembull i keq.”-thotë ai.

Deklarata e Mallias vjen pas dështimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.