Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së kryesisë në selinë rozë  në një prononcim për mediat deklaroi se për Reformën në Drejtësi nuk do të ketë diskutime me opozitën, pasi ajo është një çështje madhore dhe e vendosur nga partnerët strategjikë si SHBA dhe BE.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe shtoi ftesa e tij për bashkëqeverisje, mbetet ende.

“Reforma në drejtësi është për tu kryer dhe jo negociuar. Në këtë pikë është shumë e qartë se kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh reformës në drejtësi i bie ndesh interesa të vendit dhe aleancave strategjike.

Këto nuk janë të lidhura, reforma në drejtësi nuk është kërkesë partiake por historike kombëtare. Ndërsa të tjerat janë cështje që patjetër mund të diskutohen, ne jemi gati të diskutojmë cdo gjë me PD-në por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare.

Reforma në drejtësi është një reformë e bazuar tek një partneritet shumë i ngushtë me SHBA-në dhe BE-në, këtu është vija shumë e ndarë. PS është në një proces reflektimi sepse proceset e reflektimit ne na kanë garantuar që të qëndrojmë në lartësinë e pritshmërive të publikut, por në të njëjtën kohë na kanë ndihmuar të kuptojmë se vetë-përmirësim është domosdoshmëri për një forcë që merr përsipër të drejtojë vendin.

Kjo është ajo që ka rëndësi. Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme, por nuk do ta harrojmë se në qeveri ne nuk na kanë sjellë thjeshtë e anëtarësisë sonë por shumicës së shqiptarëve që ne duhet t’u japin shansin të përfshihen në familjen tonë duke i thyer të gjitha ato barriera që koha i vendos dhe që incerica i mban aty dhe nga ana tjetër u japim mundësi të ndjehen mirë përsa na takon jo sepse i bëjmë mirë të gjitha gjërat apo nuk bëjmë gabime por sepse bëjmë gjithmonë më të mirën tonë” deklaroi Edi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re