Ish-presidenti Bamir Topi, ka komentuar vendimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj, për dekretimin e propozimeve të qeverisë për ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore, duke rrëzuar kështu kërkesat e opozitës për ngritjen e tyre.

Gjatë një intervistë në News24, Bamir Topi u shpreh se nuk trajton me përgjegjësi presidentin, pasi sipas tij, ai ka të gjithë të drejtën e tij për të vepruar në mënyrë autonome në funksion të Kushtetutës.

“Në rast se këshilltarët i thonë se ky ligj është në përputhje me Kushtetutën, ai vendos firmën”, tha Topi.

Ish-presidenti, tha se Rama nuk ndalet jo vetëm për komisionet hetimore, duke shtuar se “çdo ditë që kalon, ai kërkon të marrë diçka tjetër dhe kjo është shumë e rëndë për demokracinë”.

Topi theksoi ndër të tjera, se sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për transparencë.

“Së pari nuk do të dëshiroja të interferoj në gjykimin e një Presidenti në detyrë. Diskutimi për komisionet hetimore është një diskutim që nuk lindi sot që zt.Begaj është në krye të Presidencës. Komisionet hetimore janë nevojë për të bërë transparencën e punës së qeverisë dhe të institucioneve, gjë që në Shqipëri mungon. Unë nuk trajtoj më përgjegjësinë e presidentit sepse ka të gjithë të drejtën e tij për të vepruar në mënyrë autonome në funksion të Kushtetutës. Në rast se këshilltarët i thonë se ky ligj është në përputhje me Kushtetutën, ai vendos firmën.

Të tjerët pastaj kanë të drejtën ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Që ky vend ka nevojë për transparencë më shumë se kurrë ka sot, kur gjithçka komandohet nga një njeri. Nuk shoh thjesht faktin që ai nuk i do komisionet hetimore, por ai nuk ndalet. Çdo ditë që kalon, ai kërkon të marrë diçka tjetër dhe kjo është shumë e rëndë për demokracinë. Nuk shkon as për transparencën për procesin zgjedhor, nuk ka transparencë si funksionojnë institucionet dhe ky do t’i largohet të gjithë llogaridhënies që përkthehet në transparencë”, tha Topi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re