Skip to content

“Rama nuk tregon arsyen përse duheshin ndryshime në marrëveshjen e 5 Qershorit”, flet analisti Kotorri: Ja çfarë i intereson PS në sistemin zgjedhor

Analisti Brenton Kotorri ka folur për situatën politike në vend duke sqaruar nëse ka tendencë Partia Socialiste që të hedhë topin në oborrin e PD. Në një intervistë për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në Fax News, Kotorri tha se Rama nuk ka dhënë detaje për ndryshimet e marrëveshjes së 5 Qershorit por justifikohet duke përmendur grupin brenda parlamentit.

“Në kuptimin e komunikimit publik po sepse populizmi dhe propaganda janë ingredient të së njëjtës gjellë. Në fakt Rama nuk është se ka parashtruar arsyen reale përse do të kishte nevojë për këto ndryshime jashtë marrëveshjes së 5 Qershorit përveç se ka gjetur një lloj sebepi për të thënë se ma kërkon një grup i vogël që është brenda parlamentit. Një grup i vogël i cili në fakt për shumicën e shqiptarëve nuk luan një peshë politike dhe shumica e tyre deri më sot kanë treguar se votojnë në bllok pro të gjitha nismave që nga dita që pranuan mandatet kur kolegët e tyre dolën nga parlamenti”, tha Kotorri.

Analisti shtoi se interesi i PS është të përdorë të gjitha mjetet ekstra ligjore dhe politike për të marrë votat, cilido qoftë sistemi zgjedhor.

“PS do ti interesonte cilido sistem zgjedhor për aq kohë sa do të donte të çarmatoste kundërshtarin sic po përpiqet të bëjë kësaj radhe dhe sidomos nëse si një organizatë politike që ka përdorur shpesh mjete ekstra ligjore, ekstra politike për të maksimizuar votat e veta. Do të thotë që është e gatshme që edhe kësaj radhe, cilido qoftë sistemi zgjedhor, PS të përdorë të gjitha këto mjete”, tha Kotorri.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb