Qëndrimet e opozitës ndaj qeverisë për situatën post tërmetit, kanë sjellë reagimin e kryeministrit Rama.

 

Në një video-live në Facebook, kreu I qeverisë teksa bëri një parantezë të të gjithë menaxhimit të situatës, akuzoi opozitën joparlamentare se po përpiqet që të marrë situatën në dorë duke hedhur baltë në drejtim të qeverisë.

 

“Meraku im është se opozita, njerëzit rrotull Bashës si fillim ka nisur të japë shenjat e para të një lufte të egër balte ku me sa duket do të përpiqet dita-ditës të përdorë gjuhën e baltës për t’iu helmuar e për t’ju mërzitur si zakonisht me gënjeshtra, sajesa, shpifje, akuza apo me gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Kjo është puna e tyre dhe e Lulzim Bashës që me siguri do e marrë shpejt flamurin e asaj lufte. Unë nuk dua të merrem me ta dhe do përpiqem të mos lejoj dhe njerëzit rreth meje që do merren me ta. Unë dhe të gjithë ne duhet të merremi me sfidën e jashtëzakonshme që na ka vënë përpara Zoti apo natyra duke na goditur të gjithëve si s’ka më rëndë por edhe duke na dhënë një mundësi të jashtëzakonshme që të ringrihemi së bashku përtej politikës, përtej partive edhe përtej vetvetes.”

 

Rama u ndal edhe tek refuzimi I ftesave të njëpasnjëshme nga ana e kreut të PD ndaj të cilit shprehu kritika që po eviton uljen në tryezë.

 

“Por ama nuk mund të mos e kritikoj me keqardhje për refuzimin e përsëritur dhe absurd që të japë së bashku me opozitën një dorë në këtë situatë duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit me njerëzit dhe për njerëzit. Nuk e di pse refuzon por di që refuzimi në një situatë të tillë është mungesë e plotë përgjegjësie për të mos thënë ndonjë fjalë më shumë.”

 

Rama u zotua më tej se qeveria do të vijojë punën për rindërtimin e banesave dhe se çdo qindarkë të mbledhur do e shpenzojë me përgjegjshmëri ndërsa theksoi se çdo kush që ka bërë shkelje do të jap përgjegjësi para prokuroisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re