Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Durrës këtë të shtunë kryebashkiakët dhe perfektët për të folur rreth aksionit për pastrimin e mjedisit.

Rama tha se përgjegjësia nuk i bie vetëm bashkive për situatën e plehrave, por të gjitha institucioneve, madje edhe qytetarëve. Sipas Ramës, duhet që të përfshihet edhe Policia e Shtetit në këtë sfidë. Sipas kreut të qeverisë, krimet mjedisore nuk luftohen me inspektorë dhe policë bashkie.

Rama tha se qeveria do të shikojë procesin e funksionimit të taksimit të familjeve dhe bizneseve për pastrimin. Po ashtu, kreu i qeverisë e sheh si të domosdoshme që në këtë proces të përfshihen gjobat.

“Pastrimi ka një kosto që është më e lartë përgjithësisht se çfarë bashkitë i faturojnë qytetarëve apo bizneseve në formën e tarifave apo taksave të pastrimit. Kjo është shumë e qartë. E them për të gjithë ata që në vend se ta fillojnë nga vetja, apo të mos hedhin plehrat kuturu e fillojnë me fjalinë ne paguajmë taksat, bashkitë nuk përgjigjen. Kontributet përmes tarifave të familjarëve apo bizneseve janë përgjithësisht nën kostot për pastrimin e bashkive.

Kjo bën që bashkitë të përballojnë me fonde ekstra një pjesë të kostos, nga ana tjetër të kemi territore të papastruara dhe nga ana tjetër qeveria të jetë e detyruar që të rishikojë skemën e funksionimit të këtij procesi.

Patjetër që në këtë proces gjobat janë të domosdoshme, por përsëri atyre që në vend që ta fillojnë nga vetja dhe të thonë që në radhë të parë se sa shumë e kanë ndotur ata vetë këtë vend duke hedhur plehrat, e fillojnë me formulën vini gjoba, mblidhni gjoba që ose s’ka kosha, vini kosha që plehrat për shembull në rrugët kombëtare nuk kanë lidhje me kosha se nuk ka kosha në rrugët kombëtare. Plehrat në rrugët kombëtare janë akte papërgjegjshmërie të mijëra njerëzve që hedhin mbeturina nga xhami i dritares.

Krimi mjedisor supozohej që do luftohej me inspektorë dhe policë bashkiakë. Nuk është e mundur. Nuk ndodh. Nuk është e mundur që kamionët  me interte që hedhin inerte nëpër pika të paautorizuara të mund të kontrollohen nga Bashkitë, policia bashkiake apo inspektorët. Policia e shtetit  duhet të sigurojë që këto kamionë të mos shkojnë askund tjetër përveçse pikave të autorizuara nga bashkia mbi bazën e të gjitha standardeve të miratuara nga Ministria e Mjedisit”, tha kreu i qeverisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re