Skip to content

“Rama pazar me Zgjedhoren, kërkon të marrë zgjedhjet në tavolinë”, Vokshi: U vendos rend dite i njëanshëm. PS e mbushur me kriminelë elektoralë, nuk e do reformën

Vokshi1

Deputetja e PD-së Albana Vokshi, e ftuar në emisionin Minuta e parë komentoi braktisjen nga opozita të punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Vokshi tha se opozita është shpërfillur në mënyrën më të turpshme. Sipas saj, u vendos një rend dite i njëanshëm, në mënyrë të paprecedentë.

Sipas saj, Partisë Socialiste nuk i intereson një reformë zgjedhore reale. Vokshi deklaroi se Rama kërkon të marrë në tavolinë zgjedhjet, teksa tha se opozita ka gati propozimet.

“Ne kishim marrë njoftim vetëm pak përpara se të niste mbledhja. Kjo ishte e paprecedentë. Opozita u shpërfill. Rendi i ditës duhet të dakordësohej. Damian Gjknuri provokoi, duke vijuar me minimin e punës të Zgjedhores, duke futur në rend dite dhe një çështje, që nuk është objekt i Komisionit të Reformës Zgjedhore. U vendos rend dite i njëanshëm. Bylykbashi i tha Gjiknurit që të tërhiqte pikën që nuk ishte rend dite, për të cilën nuk ishte rënë dakord. Nuk u reagua deri në orën 11 dhe ne shkuam me besimin se Gjiknuri dhe PS do tërhiqte pikën e parë të rendit të ditës. Por, PS-së nuk i intereson një reformë zgjedhore reale.

Përsëri Bylykbashi kërkoi që të tërhiqej pika e parë e rendit të ditës, që Komisioni të vihej në hulli. Ne jemi serioz, se duam që të ndahet shteti nga krimi dhe partia nga shteti. Rama veproi në mënyrë tinzare, duke ndryshuar kufijtë e bashkive, që zgjedhjet t’i marrë në tavolinë. Edi Rama nuk pranon të dëgjojë rekomandimet e aktorëve ndërkombëtarë e as kombëtarë. Edi Rama kërkon të marrë në tavolinë zgjedhjet. Ne kemi gati projektin, me 8 shtylla sesi ndahet shteti nga partia. Edi Rama bën pazare dhe me Reformën Zgjedhore. Opozita ofrohet të punojë për Reformën Zgjedhore, me fokus objektin e miratuar në seancë plenare. Vetëm ai duhet të jetë objekti. Opozita ofrohet që të punojë 24 orë për Zgjedhoren.

Rama tenton të minojë zgjedhoren me Taulant Ballën, që është në të vërtetë një kriminel elektoral. Edhe Ulsi Manja është kriminel zgjedhor, që dhe ai duhej dënuar për zgjedhjet në Dibër. Edhe Ogerta Manastirliu është kriminele zgjedhore, të cilën e kam kallëzuar për devijimin e votave, për krijimin e rrjetit të patronazhimit. Arbjan Mazniku është koka e patronazhimit të Ramës dhe Bashkisë së Veliajt. Mendoni se këto kriminelë zgjedhorë kanë vullnetin të krijojnë reformë zgjedhore. Ne do vijojmë propozimet tona, me shpresën se Komisioni do kthehet në normalitet. Ne pjesë e një farse nuk bëhemi. Zgjedhorja duhet t’i kthehet konsultimeve”, tha Vokshi.

Në lidhje me zgjedhjet lokale, Vokshi theksoi se PD kërkon një front të përbashkët opozitar.

“Sondazhi i NOTO-s na bën me dije se opozita fiton nëse bëhet bashkë, fiton Tiranën dhe më pas Shqipërinë. Prandaj PD kërkon një front të përbashkët opozitarë. Ne duam të zgjedhim një kandidat të përbashkët. Berisha ka ofruar që të kemi propozime nga forca të ndryshme dhe kush del me më shumë vota, të dalë kandidat i përbashkët. Nuk mund të ketë reformë më të ndershme, sesa kjo që ka kërkuar Sali Berisha. Sigurisht ne do respektojmë dhe forumet e Partisë Demokratike. Në lidhje kandidaturën e z Binaj, unë mendoj se ai është një person, që ia vlen të mbështetet. Nga sondazhet që bëri Binaj, ishte ose baraz me Ogerta Manastirliun ose më mirë se ajo. Nuk mund të them që Binaj do jetë kandidati që do të mbështesim, sepse do jenë forumet e PD-së që vendosin, bashkuar me situatën. Ne do të vijojmë të mbështesim protestat e studentëve”, u shpreh Vokshi.