Pas mbledhjes ndërqeveritare, në konferencën për mediat kryeministri Edi Rama dhe homologu nga Kosova, Albin Kurti u pyetën për “Ballkanin e Hapur”, për të cilin SHBA ka bërë të qartë se nuk bëhet pa të gjitha shtetet.

Kosova ka dalë krejtësisht kundra, ndërsa Rama thotë se opinionet e ndryshme për Ballkanin e Hapur nuk përbëjnë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj qeverie, mendimi im lidhur me Kosovën e Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur, është i njëjti mendim që e kam shprehur qysh në krye të herës. Në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë. Sa i përket Open Balkan, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme. Këto opinione të ndryshme në raport me Open Balkan nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër nga ana tjetër.

Shqiponja është e informuar vizualisht në 360 gradë prandaj mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka të kapet në befasi nga një anë e tjetra, asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj se është vlerë e shtuar në këtë periudhë të historisë sonë që jemi shqiponjë me dy koka.

Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sot që nuk e kemi këtë luks dhe këtë qëllim. Unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, për këndvështrimin strategjik dhe angazhimin në funksion të këtij angazhimi. Mos prisni që debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Nuk rrimë dot pa menduar dhe e kam menduar po të mendoj njësoj për të gjitha gjërat”, deklaroi Rama.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re