Duke folur në një aktivitet për Shkollën e Drejtorëve, promovuar si një risi në përpjekjen për reformimin e arsimit, kryeministri Rama potencoi sërish aftësinë e izraelitëve për t’iu përgjigjur me dije sfidave të zhvillimit.

Ai bëri një lidhje mes ekselencës hebreje në menaxhimin e ujit pa patur burime ujore, që sipas tij përbën një leksion për shqiptarët që shfaqen në të kundërtën e kësaj.

“Vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri si rezultat e asaj që kanë, por asaj që dinë. Unë bëj shpesh krahasimin mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ata nuk kanë ujë, ndërsa ne jemi vendi i dytë më i pasur në Europë me ujë. Por ata kanë sistemin më ekselent në botë, ndërsa ne ujin e kemi pasur problemin më të madh.

Baza e dijes është shkolla.

Pavarësisht atyre që mund të thuhen sot për atë që ne kemi bërë në këto 5 vite për shkollën, transformimi i sistemit tonë arsimor ka nisur nga rrënjët dhe po shtrihet në të gjithë hapësirën e këtij sistemi.

Ka shumë për të përmirësuar, ka ende boshllëqe e të meta, si pasojë e të shkuarës, që janë aktive, por shkolla nuk ka vend për krahasim me atë të 5 viteve më parë. Tashmë, rekrutimi i mësuesve nuk është i lidhur me politikën që zhvillohet në interes të partive”, tha kryeminstri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re