Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE drejt zgjidhjes së raporteve të tensionuara me Serbinë. Rama e konsideron si pikë kyçe takimin e mes Vuçiçit dhe Kurtit këtë të enjte, në Bruksel.

 

Ai theksoi se liderët e dy vendeve duhet të punojnë ngushtësisht me ndërkombëtarët për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, si e vetmja alternativë e duhur për rajonin.

 

‘Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve.’- shkruan Rama.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nisi diskutimet me udhëheqësit europianë në Bruksel. Takim të tilla pritet të zhvillojë edhe president i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

 

Siç është bërë e ditur takimet vijnë në vazhdimësi të përpjekjeve për rikthimin në dialog të Kosovës dhe Serbisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re