Në 30 vjetorin e Forumit Rinor Eurosocialist, kryeministri Edi Rama u ndal te nocioni i politikës. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se edhe pse politika ka hyrë në fjalorin e fjalëve të pista, ajo është mundësia e vetme për orientimin kolektiv.

“Fjala politikë ka hyrë në fjalorin e fjalëve të pista dhe politikanët në një kategori të mallkuar gjerësisht në të gjitha bisedat dhe shkarravitjet mbi muret e rrjetit të metrosë sociale aty ku friends-at hyjnë e dalin pa ndërprerje në lëvizje pa busull e drejtim. Politika shkelet me këmbë ndërkohë që është mundësia e vetme për orientimin kolektiv që ne trashëgojmë nga historia e njerëzimit.

Politika lidhet drejtpërdrejt me kërkimin e të mirës. Platoni e përkufizonte si art mbretëror, ai shpjegon një nga mitet më të famshme të antikitetit grek atë të Prometeut. Politika konsiderohej në ato kohëra si themeltare për njerëzimin si përmasa natyrale për njeriun.  Politika u dha mundësinë njerëzve që të jepnin e merrnin me njëri-tjetrin dhe të trajtonin çështjet e bashkëekzistencës së tyre dhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta që të vetëm nuk i zgjidhnin dot. Njeriu është e vetmja kafshë politike, të tjerat janë vetëm kafshë. Politika ekziston para demokracisë dhe formimit të shteteve”, deklaroi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re