Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër sjelljen e Policisë së Shtetit në zonat turistike, duke risjellë në vëmendje incidentet – shpeshherë tragjike – të ndodhura në javët e fundit ndërkohë që jemi në mes të sezonit turistik.
“Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare, që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë abiuzivizmi të atillë që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal?
Këta janë tutorët e Policisë së Shtetit në ato territore, janë korruptuesit e Policisë së Shtetit, abuzuesit më të mëdhenj me uniformën, që tërheqin për hunde policë, shefa komisariatesh, duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm”, tha Rama.
“Rasti i Sarandës ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit drejtues të policisë në Sarandë. Jo në masa ordinere, por në përjashtimin e menjëhershëm dhe ndëshkimin penal të personave përgjgjës”, shtoi kryeministri.